Basha mund të lirohet nga akuzat për Durrës - Kukës
Ministri aktual i jashtëm, (ish ministër i Transporteve) Lulzim Basha, shumë shpejt mund të lirohet nga akuzat e “abuzimeve” për kostot e rrugës Durrës- Kukës. Sipas burimeve nga Prokuroria, “dosja është në fazën e vet përfundimtare, dhe për ta mbyllur pritet vetëm projekti përfundimtar i rrugës që do të sillet nga vetë kompania Bechtel Enka”. “I vetmi verifikim që ka mbetur për t’u bërë është ekspertiza kontabël, që vërteton nëse financimi i dhënë për këtë rrugë justifikon volumin e punimeve apo jo. Nëse kjo perllogaritje rezulton e drejtë, atëherë dosja Rrëshen-Kalimash do të arkivohet si një hetim i mbyllur, ku nuk janë gjetur shkelje që të kenë sjellë pasoja në dëm të buxhetit të shtetit apo palëve të treta”, tha një nga njerëzit e grupit të prokurorëve që merren me çështjen. Sipas prokurorëve, nëse nuk do të ketë pasoja ekonomiko-financiare, “edhe shkeljet e tjera të konstatuara gjatë tenderimit të firmës Bechtel Enka, apo procedurat e financimit të tyre, nuk mund të jenë objekt i hetimit penal”. “Nëse grupi i hetimit do të konstatojë që financimi rezulton më i lartë nga volumi i punimeve, atëherë hetimet do të vijojnë për të verifikuar përfituesit e diferencave që mund të dalin” kane pohuar prokuroret.Por ky veprim i fundit i grupit të hetimit të kësaj çështjeje, mund të bëhet vetëm pasi përfaqësuesit e firmës ndërtuese “Bechtel&Enka” të kenë dorëzuar në prokurori projektin përfundimtar të rrugës. Ky i fundit, ashtu sikurse është bërë e ditur, jo vetëm që nuk ka qenë i plotë në momentin kur është vendosur ndërtimi i rrugës dhe miratimi i financimit nga qeveria shqiptare, por edhe tani që ndërtimi i rrugës ka përfunduar në më shumë se gjysmën e gjatësisë, ende nuk është hartuar.
Hetimet për rrugën Durrës-Kukës, u hapën vjeshtën e vitit të kaluar, por ndërkohë, në seancën parlamentare të 28 dhjetorit, nga prokuroria e përgjithshme u kërkua heqja e imunitetit të ministrit Lulzim Basha.
Konstatimi i parë për shkeljet në rrugën Durrës –Kukës u bënë në media, e menjëherë pas kësaj reagoi edhe opozita. Kjo e fundit, për kohë me rradhë furnizoi edhe median me dokumente, që vërtetonin shkeljet e ministrit. Vetë raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit, evidentoi një varg abuzimesh për këtë rrugë, por asnjëherë nuk u bë publik në mënyrë zyrtare nga organi kompetent.