Papulias se shpejti ne Shqipëri
Presidenti grek, Karolos Papulias pritet të jetë në Shqipëri, për të zhvilluar më në fund vizitën e munguar që në vitin 2005. Njoftohet se vizita e tij “e shpejtë”, do të zhvillohet në qytetin e Gjirokastrës, këshilli bashkiak i së cilës e ka gati titullit “Qytetar Nderi”, për numrin 1 të shtetit helen. Kështu njoftoi dje agjencia e lajmeve “Deutche Velle”, e cila citon zyrtarë grekë, ndërsa e përcakton vizitën si një “pranverë të re” në marrëdhëniet Shqipëri-Greqi. Një nga temat kryesore të vizitës së Presidentit grek në Shqipëri do të jetë dhe varrezat e ushtarëve grekë të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore në kufirin apo në trojet shqiptare, gjatë luftës italo-greke. Pikërisht kjo ishte një nga pikat e bisedës mes ministres së Jashtme, Bakojanis, e cila zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë më 21 mars, me homologun e saj shqiptar, Lulzim Basha. Ky i fundit është shprehur sa i takon varrezave të ushtarëve grekë në territorin shqiptar, se “pala shqiptare është e vendosur të japë kontributin e saj për ta përfunduar sa më shpejt, si një çështje që ka sensibilitet humanitar dhe moral”. Ndërsa gjatë vizitës zyrtare që Presidenti Topi zhvilloi në Greqi, është rënë dakord mes palëve, që për çështje të diskutueshme mes palëve të ngrihen komisione ekspertësh, në mënyrë që të gjenden zgjidhet e përshtatshme