Basha ndërpret punimet në qendër, sheshi fatin e Zogut të Zi
Historia përsëritet. Njësoj siç ndodhi në vitin 2005, kur Sali Berisha sapo erdhi në pushtet, vendosi që të shkatërronte mbikalimin tek Zogu i Zi në shenjë hakmarrje ndaj Edi Ramës, kështu po ndodh edhe tani, kur në krye të bashkisë është emëruar Lulzim Basha.
Ky i fundit ka vendosur që të ndërpresë punimet në qendër të Tiranës dhe me shumë mundësi, do të braktiset projekti i nisur nga ana e Edi Ramës për rikonstrukturimin e qendrës së Tiranës.
Basha me vetëdije tashmë ka vendosur që ta kthejë sheshin siç ka qenë në fillim, para ndërhyrjeve të nisura vitin e kaluar nga Rama, pa asnjë shpjegim teknik përse ka vendosur që të braktisë projektin.
Për kujtesë, për projektin e rimodelimit të qendrës së Tiranës është marrë mendimi i një jurie ndërkombëtare.
Sali Berisha shprehej gjatë kohës që Rama nisi punimet në shesh, se aty duhet të ketë tregëti, njësoj siç ishte më parë.
Dhe kështu në fakt duket se po ndodh, pasi punimet në shesh janë ndërprerë pikërisht për arsye private. Mësohet se Basha, prapa të cilit qendron Berisha, ka vendosur që të bëjë kompesimin e pronave, në hapësirën që përfshihet nga Hotel Tirana, deri tek Akademia. Dhe, është pikërisht kjo arsyeja që është vendosur të ndryshohet plani për sheshin, duke mos u vazhduar projekti i nisur nga ana e Ramës.
Përveç kësaj, kjo është edhe një hakmarrje ndaj Ramës, projektet e të cilit tashmë po ndryshohen me radhë.
Projekti i parashikuar dhe i filluar nga Rama, parashikonte që komplet qendra të ishte për këmbësorët. Për këtë arsye, u vendos që nga qendra të mos kalonte asnjë automjet.
Dhe kjo duket se dha një farë efekti pozitiv në trafikun e Tiranës, duke qenë se qendra ishte pika më problematike, pasi për ti rënë shkurt, në të kalonin pothuajse të gjitha makinat.
Por, me anulimin e projektit, në qendër do të kthehet sërish gjendja kaotike e qarkullimit të automjeteve.
Njëso si Zogu i Zi
Të gjithë e mbajnë mend historinë e mbikalimit të Zogut të Zi, pasi ka qenë një nga betejat më te egra politike.
Berisha sapo kishte ardhur në pushtet dhe kërkonte që të godiste kundërshtarin e tij, Edi Rama. Këtë vendosi ta bënte me anë të shkatërrimit të mbikalimit te Zogu i Zi, një histori që vazhdoi për muaj të tërë.
Pavarësisht presionit të madh, Berisha nuk u ndal dhe i shkoi deri në fund prishjes së mbikalimit tek Zogu i Zi. Gjykata u shpreh se ky ishte një vendim i paligjshëm dhe që binte ndesh me Kushtetutën.
Por, prishja e mbikalimit nuk ishte vetëm një hakmarrje ndaj Edi Ramës, por edhe një veprim që u kushtoi qytetarëve të Tiranës plot 2 milionë dollarë, aq sa çishin harxhuar për ndërtimin e tij.
Ndryshe nga Zogu i Zi, pasojat financiare për devijimin e projektit të Ramës në qendër të Tiranës, duket se do të jenë shumë më të mëdha.
Mendohet që dëmi financiar që do të shkaktohet, është pesë herë më i madh se sa dëmi i shkaktuar nga mbikalimi tek Zogu i Zi.
Dhe, të gjitha këto fatura do të bien mbi kurrizin e qytetarëve shqiptarë.