Basha në Njësinë numër 1: Koha e fushatës mbaroi, tani është koha e punës
Rikthehet Kryebashkiaku Lulzim Basha në Njësinë numër 1. Këtë herë për konsultime me qytetarët për Projekt - Buxhetin e vitit 2012. Duket më të vërtetë i habitur Kryebashkiaku i Tiranës nga pjesëmarrja e lartë e qytetarëve të kësaj njësie por natyrisht edhe i kënaqur. “Më vjen mirë që interesimi është kaq i madh por në të njëjtën kohë më vjen keq edhe për qytetarët që do e ndjekin takimin tonë më këmbë” duke vazhduar - “Pres pyetje për atë që ju prek ju. Buxheti është një reflektim i prioriteteve të komunitetit. Një buxhet që në fakt i mungonte Bashkisë së Tiranës prej dy vjetësh. Ndërsa ne sot kemi një buxhet”. Kryebashkiaku Basha kërkon një detajim të projekteve zë për zë dhe me një nivel të lartë transparence që do të kufizonte autoritetin e Bashkisë. Për këtë arsye janë nisur dhe tashmë janë në përfundim konsultimet me kryetarët e njësive vendore por veçanërisht me qytetarët e njësive vendore. Natyrisht siç deklaron edhe kryebashkiaku Basha ky buxhet i vitit 2012, është më më i madhi në historinë e Bashkisë të Tiranës. Por edhe vështirësi do të ketë. Sepse do të paguhen kreditë e marra në 10 vjetët e fundit nga ana e Bashkisë së Tiranës. Përmend edhe të dhënat e fundit të censusit zoti Basha: “27% e popullsisë së Shqipërisë banon në Tiranë, pra Tirana pra trefishuar”. Po ku do të shkojnë paratë paratë e Bashkisë të Tiranës? - “33% e buxhetit do të shkojë në investime, do të ketë 100 ha rikualifikime urbane, do të realizohet ndërtimi i dy urave, katër shkollave dhe gjashtë qendrave socialeve”. Do të përqendrohet puna tek Integrimi të pastrehëve dhe funksionimi i banesave sociale. Do të ketë lehtësira fiskale për shtesat në nevojë, pensionistët dhe veteranët. Do të shtohen hapësirat e blerta në lidhje edhe me zgjatimin e Bulevardit të madh. Puna do të fokusohet edhe tek gjelbërimi i lumit Tirana pa harruar edhe projektin e tramvajit të Tiranës. Më pas kryebashkiaku është ndalur më në detaje duke vënë theksin e tij se parësore për njësinë numër 1, është Mali i Dajtit dhe rezervuari i Farkës por edhe Unaza e madhe e cila do të kalojë për një pjesë shumë të madhe të saj në këtë Njësi. Sidoqoftë zoti Basha u ndal përsëri në investimet që do të bëhen në këtë njësi duke kujtuar se do të ngrihet ura në Shkozë dhe do të bëhet rikonstruksioni i rrugës “Pasho Hysa”, dhe do të vazhdohet me sistemimin e shtratit të Lanës nga Materniteti i ri deri tek ura në Shkozë. Gjithaq do të ndërtohet shkolla 9 - vjeçare në rrugën “Ali Demi”, dhe kopshti 50 në rrugën “Shemsi Haka”. Pyetjet e banorëve të Njësisë numër 1 kanë qenë nga më të ndryshmet. Dikush pyeste për Biblioteka dhe Lulzim Basha do t’ju rikujtonte banorëve të kësaj njësie se - “Biblioteka e parë në lagjen tuaj ka qenë aty tek kinema “Ali Demi” me emrin Djelmore dhe tashmë fondi i saj ndodhet në Bibliotekën tonë Kombëtare. Po mendohet për një rehabilitim të bibliotekave”. Sidoqoftë sipas kryebashkiakut duhet të nxitet sektori privat për aktivitetet sportive sepse duhet të triumfojë “shpirti i garës”, por edhe për organizimin e kampionateve të ndryshme. Nga ana tjetër duhet një balancim i problemeve më akute të Tiranës dhe në veçanti të kësaj Njësie. - “Do vazhdohet me rrugën që lidh rrugën Ali Demi’ me ‘Brrylin’”. Duket se është zgjidhur çështja e pronave për 4 familjet që pengonin këtë aks dhe kjo zonë do të gjelbërohet. Ndërsa pyetjes së një banori të kësaj Njësie për emëritmin e rrugëve kryebashkiaku i është përgjigjur se ky problem është parësor për të. Nënvizon më tej zoti Basha se buxheti i njësisë numër 1 do të jetë 9% e të gjithë buxhetit të Tiranës. Për të vazhduar se: “Koha e fushatës mbaroi, tani është koha e punës”. Banorët e kësaj njësie përsërisnin se ndiheshin shumë të lumtur që më në fund, e thënë me fjalët e tyre se: “Dikush më në fund e merr mundimin të vij këtu. Deri dje ndiheshim si jetimë”. Një tjetër e quan sektorin ku ai banon (në territorin e Dajtit apo në njësinë numër 1!?) si sektorin e prapadiellit dhe shton se është i sigurtë se kryebashkiaku do t’u sjellë një rreze shprese.