Fryma jakobine, për të vrarë “opozitën e fjetur” brenda PS-së
Hakmarrja u servir e ftohtë, pa praninë e mediave. U tha se ca abstenuan dhe ca të tjerë votuan kundër. Kastriot Islami është sot një deputet i lirë, pa obligime bindjeje partiake. Dhe Partia Socialiste ka një “specialist” më pak, do të thoshte i ndjeri Pjetër Arbnori. Sot PS-ja ka më shumë “yes-man” të kryetarit, Edi Rama. Kushdo që do të “kundërshtojë” vendimet e udhëheqjes, me siguri, do të marrin certifikatën e çregjistrimit nga partia e Ramës. Me këtë vendim të pashembullt PS-ja u kthye në një çiflig ku kërkohen shërbyes dhe jo qytetarë, intelektualë a profesorë, etj.
Kuptohet vetiu, Edi Rama i ka bërë llogaritë gabim kur mendon se përjashtimi i Kastriot Islamit nga Partia Socialiste do të harrohet pas tre ditëve. Kjo çudi nuk do të zgjasë tre ditë. Sepse përpjekjet e pareshtura të tij, për të ndryshuar natyrën njerëzore të deputetëve dhe kontributeve vlerore të tyre, nuk mund të zerohen sa hap e mbyll sytë. Dy dekadat e deputetit Islami në PS nuk janë pak, aq më shumë kur kanë qenë në dinamikën e vendimmarrjeve të rëndësishme. Deputeti Islami është viktimë e terrorit me të cilën Rama tenton të kontrollojë në thelb partinë, pas dështimeve të njëpasnjëshme të kauzave të tij.
Padyshim frika dhe jo forca është mekanizmi shtytës për këtë çregjistrimin, si akt i vetëdijshëm purifikator. Me zjarrin e afshët të Taulant Ballës është komunikuar çregjistrimi i Kastriot Islami, ngase pasi ky jepte alternativa brenda strukturave, e për rrjedhojë errësonte dogmën politike të Ramës. Egoarku ka një sjellje manikeiste, që i ndan idetë dhe njerëzit në të mirë dhe të këqinj. Dhe ndoshta për herë të parë në mënyrë të organizuar në historinë njerëzore, jakobinët e Robespierit i ndanin njerëzit në dy grupe: në “të mirë” dhe “të këqinj”.
Gijotina politike për të prerë kokën e Kastriot Islamit është bërë demonstrative me qëllim për të trembur kundërshtarët “e fjetur”. Është fryma e një klubi jakobin që ngjall step idetë dhe mendimet ndryshe. Ata që kundërshtojnë një politikë opozitare radikale: të bojkotit, protestës, grevës urisë dhe demonstratës së dhunshme janë etiketuar si tradhtarë të çështjes së ardhjes në pushtet. Për jakobinët e rinj, trysnia e terrorit dhe eksploatimi i frikës nga ndëshkimi, që është plotësisht në natyrën njerëzore, kanë qenë nga mënyrat më të preferuara të nguljes së kodeve morale në trurin e qytetarëve. Prishja e imazhit të Shqipërisë dhe humbja për të herë rresht të marrjes së statusit të vendit kandidat ka qenë rezultat i një sjellje për interesa personale më shumë sesa për interesa kombëtare të integrimit Europian të lidershipit socialist.
Për më shumë se dy vite Kastriot Islami ka qenë kundër kësaj politike destruktive dhe sot që PS-ja është kthyer në binarët e normalitetit e shikon veten të përjashtuar. Të gjithë e kanë të qartë se preteksti i gjetur për çregjistrim nga grupi parlamentar është një marrëzi. Ka pasur shkelje të herëpashershme të shumë deputetëve si në shumicë po ashtu në opozitë që skanë përfunduar në përjashtime, pasi deputeti nuk është një ushtar kazerme, lepe-peqe. Ai ka dinjitet përballë çdo statuti partie. Sepse sa për statut është po ky Edi Rama që nuk e respektoi pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 2009, kur duhet të jepte dorëheqjen. Megjithëse marifeti hapjes së kutive u kthye nga një varkë shpëtimi në një nëndetëse politike që sulmonte brigjet e pushtetit. Është e papranueshme të flasësh sot për zbatime vendimesh kur është Rama që nuk ka zbatuar asnjë vendim. Ai futi njerëzit në grevë urie përballë kryeministrisë duke vendosur të ishte jashtë saj. Ai organizoi demonstratë e dhunshme të 21 janarit në bulevard duke vendosur të ishte për kafe tek kulla e Fidelit dhe jo në ballë të njerëzve. Ai shkoi në zgjedhjet lokale të 8 majit me mendimin se ishin zgjedhje politike. Përfundoi i mbyllur në shtëpi duke shkruar refleksione pasi kishte bërë kurban 2 vite energji të mëdha.
Kastriot Islami ka thënë qysh në fillim të futemi në Parlament, të sillemi si një forcë moderne dhe të lëmë rrugët e djegiet e gomave, të bëjmë një program etj, etj. Dhe çka është më e bukura në këtë rast, Kastriot Islami e ka fituar debatin në një sistem vërtet demokratik. Afërmendsh pastaj jo vetëm që duhet të ishte në parti, por do të ishte i promovuar, me shumë gjasa sot do ishte kryetar, pasi sfidoi kryetarin në argumente dhe e mundi.
Sido që të jetë qëllimi i Edi Ramës ishte i qartë dhe krejt me dashje, të godasë një deputet për të trembur të ashtuquajturit deputetë të mendimit ndryshe, që me përjashtimin e Islamit mund të thuhet që e ka mbyllur fazën rebele brenda strukturave dhe forumeve partiake.