Gara për bashkitë, katër deputetë japin dorëheqjen
Pas Lulëzim Bashës, dje në Kuvend kanë paraqitur dorëheqjen edhe Ferdinand Xhaferaj, Ardian Kollozi, Fatos Tushe dhe Gjok Jaku. KQZ-ja shqyrton sot mandatet e reja
TIRANË Tre kandidatët për kryetarë bashkie, Lulëzim Basha, Ferdinand Xhaferaj dhe Ardian Kollozi nuk ishin dje në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së. Pas dorëheqjes së pak ditëve më parë të Lulëzim Bashës, ky i fundit ka filluar fushatën në Tiranë, ndërkohë që këtë rrugë do të ndjekin tashmë zyrtarisht edhe Xhaferaj dhe Kollozi. Ata kanë paraqitur dje me shkrim dorëheqjen nga mandati i deputetit. Të njëjtën kërkesë kanë paraqitur po dje edhe dy deputetë të PS-së, të cilët do të garojnë për karrigen e kryebashkiakut, Gjok Jaku dhe Fatos Tushe. “Me datë 25.3 2011, z.Lulzim Basha ka paraqitur me shkrim në Kuvend, dorëheqjen nga mandati i deputetit. Me datë 28.3.2011, z. Ferdinand Xhaferaj, z.Fatos Tushe, z.Gjok Jaku dhe z.Ardian Kollozi kanë paraqitur me shkrim në Kuvend, dorëheqjen nga mandati i deputetit...”, thuhet në njoftimin për shtyp të Kuvendit. Pas kërkesave, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, pritet të thërrasë Këshillin e Mandateve, Rregullores dhe Imuniteteve, ku pritet të shqyrtohen edhe emrat e deputetëve zëvendësues, që janë më afër listës. Dihet tashmë që kandidimi i Lulëzim Bashës, deputet i qarkut të Elbasanit, do të sjellë në Kuvend një tjetër deputet po nga ky qark, Aurel Bylykbashi. Kosta Barka është emri vijues i listës emërore të kandidatëve të PD-së në qarkun e Vlorës, pas dorëheqjes së Ardian Kollozit,
i cili garon për Bashkinë e Vlorës, përballë kandidatit të zyrtarizuar nga PS-ja, Shpëtim Gjika. Nuk dihet nëse Barka do të pranojë mandatin e ri të deputetit, në një kohë që ai mban postin e nëndrejtorit në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Kandidimi i Ferdinand Xhaferajt në Durrës sjell në Kuvend një tjetër deputet nga qarku i Durrësit, Ndriçim Babasi. Ky i fundit betohet në Kuvend për herë të dytë, pas përfundimit të mandatit katërvjeçar si deputet në vitin 2009. Nga opozita, në vend të Gjok Jakut, që garon për Bashkinë e Lezhës, në Kuvend pritet të betohet një tjetër deputet i këtij qarku, Ndrec Deda. Ndërsa kandidimi i deputetit Fatos Tushe, në Bashkinë e Lushnjës, do të sjellë në Parlament emrin pasardhës në listën emërore të socialistëve në qarkun e Fierit, Arion Muçaj. Ndërkohë, mbrëmë KQZ-ja njoftoi se sot do të shqyrtohen nga KQZ-ja pesë projektvendimet për kalimet e mandateve të kandidatëve vijues të listës shumëemërore të PS-PD në qarqet përkatëse. Për këtë cështje, pritet që sot në KQZ të ketë debat, pasi Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, e kontaktuar nga gazeta MAPO deklaroi se për kalimin e këtyre projektvendimeve duhen 5 vota. Në anën tjetër, KQZ-ja njoftoi se kemi të bëjmë thjesht me kalim të mandatit dhe jo dhënie mandati, andaj nevojiten vetëm 4 vota.
N.Perndoj