E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha ne njesine nr.10 Zhvillimi i lagjeve do te jete nje nga prioritetet e mia

Kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Lulzim Basha, ka dëgjuar shqetësimet e shumta të banorëve në njësinë bashkiake nr.10.

Vendparkimet dhe taksat e larta janë problemet kryesore me të cilat ndeshen bizneset në rrugën e “Durrësit” dhe “Myslym Shyri”.

Kandidati për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha ka dëgjuar prej banorëve dhe bizneseve në njësinë bashkiake nr.10 se ndër shqetësimet e tyre janë infrastruktura rrugore e mungesa e lejeve për të rikonstruktuar shtëpitë e tyre të cilat rrezikojnë të shemben.

“Në qoftë se kjo rrugë është arteria kryesore e qytetit të Tiranës është rruga më e degraduar. Ka hequr parkimet, ka ngritur taksat, duke menduar se rruga e Durrësit është rrugë e parë, por e ka lënë të një kategorie të dorës së tretë”, tha një prej pronarëve të dyqaneve në “Rrugën e Durrësit”.

“Do bëj gjithçka, për ta rikthyer në parametrat që ju të funksiononi me xhiron normale”, u shpreh Basha.

Biznese të tjera në lagjet e kësaj njësie u ankuan për taksat e larta dhe mungesën e pastrimit e gjelbërimit.

“Taksat e reklamës janë shumë të larta, ne paguajmë 1.2 milion lekë vetëm për reklamën. Paguajmë taksën e pastrimit, por të vish në orën 5:30 të mëngjesit pastruesja detyrohem të jem vetë.

Do filloj të pastroj rrugën nga cepi në cep për ditë. Njeri për të na pastruar rrugën nuk vjen”, tha një pronare e biznesit të vogël.

Kurse në takimet me banorët e rrugës “Myslym Shyri”, u kërkuan vendparkime si dhe mundësi për zhvillimin e mëtejshëm të lagjeve.

Kandidati Basha tha se zhvillimi i lagjeve do të jetë një nga prioritetet e tij, sipas një formule e cila do të respektojë pronën private dhe hapësirat publike.

Në bashkëbisedimin me banorët, Basha ka dëgjuar edhe shqetësimin e të moshuarve për mungesën e hapësirave të gjelbra sikundër ka marrë prej tyre mirënjohjen për heqjen e vizave dhe fushatën qytetare që po zhvillon në Tiranë.

“Fëmijët i kam një në Strasburg, një në Belgjikë dhe mbas shumë viteve ishte shumë e vështirë, por faleminderit na dhatë mundësinë që të shihnim fëmijët”, tha një e moshuar.

Basha ka dëgjuar më tej, edhe shqetësimet e të rinjve për mungesën e ambienteve shkollore, sportive dhe argëtuese.

Kjo ishte dita e 11 e takimeve të kandidatit për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha me banorët e kryeqytetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›