E Martë, 3 Nëntor 2026

“Një ndalesë – Një kontroll”/ Kryeministri Rama me Kovaçevskin: Lehtësojmë qarkullimin e njerëzve dhe mallrave

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nga sot kanë kontroll të përbashkët kufitar për të lehtësuar qarkullimin e mallrave dhe qytetarëve.

Në kuadër të hyrjes në fuqi të protokollit ndërmjet Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut  për Implementimin e kontrollit të përbashkët kufitar në pikën e përbashkët të kalimit kufitar Qafë Thanë/ Qafasan, Kryeministri Edi Rama është takuar këtë të hënë (31 korrik) me homologun e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

Takimit mes dy liderëve po mbahet në zonën e Qafë Thanës, ku do të prezantohet “një ndalesë-një kontroll” mes dy vendeve respektive.

Në takim, Rama shoqërohet nga Ministri i Brendshëm, Taulant Balla dhe zv.kryeministrja Belinda Balluku.

“Qafë Thanë/ Hyn në fuqi programi i ri kufitar  “Një ndalesë – Një kontroll”, duke “zhbërë” kufirin mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe lehtësuar qarkullimin e njerëzve dhe mallrave me procedura shumë të thjeshtuara”, shkruan Kryeministri Rama në rrjetin social Facebook.

Zv.kryeministrja Belinda Balluku deklaroi se ky projekt do të ndihmojë në lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve në të dyja anët e kufirit dhe do stimulojë zhvillimin ekonomik rajonal.

“Ajo që i ka munduar shqiptarët ka qenë izolimi që dhe sot ka efektet e tij negative. Ndaj një nga prioritetet e qeverisë Rama që nga 2013 ka qenë lehtësimi i procedurave kufitare për kalimin e qytetarëve dhe për tregtinë dhe mallrat. Ky projekt është dëshmia e radhës e dëshirës së mirë mes dy qeverive, për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin nga nivelet administrativ deri në nivelet më të larta politike. Marrëdhënia mes dy shteteve është kthyer në model për tu ndjekur.

Tashmë, ne kemi një përvojë të mirëfunksionimit të pikave të përbashkëta kufitare. Këto dy modele na kanë udhëhequr për të ardhur sot në këtë pikë të re kufitare, ku qytetarët do kenë mundësinë e një lëvizje të re komode.

Projekti synon përmirësimin e infrastrukturës dhe thjeshtimin e procedurave të kontrollit përmes “një ndalesë, një kontroll”.

Ky projekt do kenë ndikim në lehtësimin e lëvizjes në të dyja krahët e kufirit dhe do stimulojë zhvillimin ekonomik rajonal”, tha Balluku.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›