E Martë, 3 Nëntor 2026

Programi i ri kufitar “Një ndalesë – Një kontroll”, Rama: Qëllimi final është unifikimi i doganave

Ndërsa e konsideroi si mjaft të rëndësishëm programin e ri kufitar “Një ndalesë – Një kontroll” në Qafë Thanë-Qafasan, Kryeministri Edi Rama shprehu synimin për unifikimin e doganave. Kreu i qeverisë shqiptare në një takim me homologun e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski në Qafë Thanë, u shpreh se qëllimi final për unifikimin e doganave duhej të arrihej me integrimin e dy vendeve në Bashkimin Europian, por kjo nuk duhet të bëhet pengesë për avancimin e idesë.

“Ky është një projekt mjaft i rëndësishëm, por qëllimi final është unifikimi i doganave. Natyrisht do vijë me integrimin e plotë të dy republikave në BE. Por ne nuk kemi pse presim BE për ta avancuar si ide”, tha Rama.

Ky i fundit u shpreh se kontrolli i përbashkët kufitar Shqipëri-Maqedoni e Veriut, do të lehtësojë qarkullimin e qytetarëve dhe mallrave tregtare. Po ashtu, sipas Ramës, ky projekt i jep shtysë shkëmbimeve tregtare, zhvillimit të marrëdhënieve të dy vendeve  dhe zhvillimin e turizmit.

“Sot është një moment i rëndësishëm për të gjithë ata që kalojnë nga kjo pikë kufitare, qofshin individë apo kompani që shkëmbejnë mes dy vendeve.

Më në fund, jua lehtësojmë kalimin në këtë pikë dhe i japim shtysë të mëtejshme shkëmbimeve tregtare dhe  zhvillimit të marrëdhënieve tona në tërësi, pa harruar dhe zhvillimin e turizmit.

Shqipëria këtë vit po përjeton një impakt të jashtëzakonshëm të transformimit të imazhit të saj dhe si asnjë vit më parë fluksi i turistëve por edhe numri i investitorëve të mëdhenj ndërkombëtar të interesuar për të investuar në industrinë e turizmit në Shqipëri, së bashku me shqip0tarët e diasporës dhe ata që jetojnë në Shqipëri, është tejet inkurajues.

Zhvillimi mëtejshëm dhe rritja e dëshiruar e industrisë së turizmit dhe rritja e dëshiruar e sektorëve të tjerë të prodhimit, kërkojnë një qasje komplekse.

Pjesa e patjetërsueshme e kësaj qasje është pikërisht transformimi në funksion të lehtësimit i kalimit të kufijve. Me kryeministrin kemi folur vijimësisht për këtë dhe kemi parë në vetë të parë se si nga e thëna në të bërë është një det i tërë, sepse ka shumë pengesa që vijnë nga inercia e të shkuarës dhe nga paragjykimi për liberalizimin e lëvizjes”, u shpreh Rama.

Kryeministri bëri me dije se në gjysmën e parë të këtij viti, në këtë pikë kufitare, kanë lëvizur lëvizur më shumë se 770 mijë shtetas dhe mbi 352 mijë automjete.

“Është një fluks i konsiderueshëm dhe një procedurë e thjeshtuar me vetëm 1 ndalesë pasi në një vend janë të dy përfaqësuesit e agjencive tona ligjzbatuese, është ajo që nevojitet. Shpresoj që të dyja ministritë e Brendshme do kalojnë në një tjetër nivel, në këtë periudhë piku të sezonit dhe në të gjitha sezonet e tjera verore, për të bërë kalimin pa kontroll, apo më saktë me kontroll të rastësishëm të makinave të targuara Republika e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për të lehtësuar qarkullimin dhe të mos e kenë rrugës këtë lloj ndalese që prodhon stres, humbje kohe dhe mërzi”, përfundoi Kryeministri Edi Rama.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›