E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha, një fushatë kundër vetes dhe rivalëve në PD

Nga Mero Baze

Kandidati i PD për Bashkinë e Tiranës, Lulëzim Basha, ka futur debatin për fushatën në një rrugë pa krye, duke e spostuar tek debati mbi pasqyrimin e fushatës, ndërsa po ngjall polemika brenda PD lidhur me  përpjekjen e tij për të inkriminuar rivalët brenda PD-së si njerëz që i prishin imazhin e fushatës. Nëse qëndrimi i Berishës larg fushatës, me arsyetimin se figura e tij dëmton rezultatin në Tiranë është një status i pranuar nga vetë Berisha, aludimet e tij për rivalët e vet në PD si të lidhur me krimin apo njerëz që prishin imazhin e PD-së, mund të shkaktojnë probleme në të ardhmen.

Dyshimi që ngjall makth në selinë e PD nuk është as shpallja e Berishës fajtor, as shpallja e Bashës përgjegjës, por mbetja e fajit jetim. Duke mbajtur Berishën larg fushatës, është normale të mendosh se PD nuk ka ndërmend të fajësojë atë për humbjen e pritshme në Tiranë. Por problemi qëndron tek fati i mëtejshëm politik i Lulëzim Bashës. Sipas gjithë gjasave, ai po synon të marrë pak vota më shumë se sa rivali i tij në PD Sokol Olldashi dhe të justifikojë po kështu ngritjen e PD me kandidimin e tij. Duke qenë se kjo skemë i lë zgjedhjet brenda PD-së pa përgjegjës konkret, debati për rikthimin e Berishës në fushatë është real.

Nëse i hedh një sy tani fushatës së PD-së në Tiranë, gjysmën e kohës e ka ngrënë debati a duhen transmetuar kasetat e montuara të Lulëzim Bashës a jo? I gjithë stafi i tij teknik, i cili ka bllokuar gjithë debatet televizive, është bërë avokat i madh i transmetimit të kasetave të montuara. Asnjë debat tjetër për alternativat e qeverisjes së Tiranës nuk kanë ngrënë kaq shumë kohë dhe hapësirë se sa ka ngrënë kohë debati dhe vendosmëria e Lulëzim Bashës për të qenë ilegal në këtë fushatë dhe për të mos lejuar medien të ndjekë fushatën e tij. Kjo në të vërtetë rrëzon gjithë imazhin dhe premtimet e tij për transparencë në qeverisje. Shembulli më i keq dhe fakti më i zi kundër tij është prodhuar nga vetë stafi i tij. Ky staf dhe vetë Basha po këmbëngulin për mungesë transparence të garantuar me ligj në fushatë dhe po premtojnë transparencë pa ligj pas fushate. Të futur në këtë spirale, ata janë duke bërë dhe gabimin e dytë. Edhe pse Basha është jurist, duket se nuk i ka parë mirë ligjet e shtetit shqiptar. Në ligjin shqiptar për radiotelevizionin thuhet qartë se emisionet e lajmeve janë produkte gazetareske dhe në përmbajtjen e tyre ndalohet reklama e fshehtë apo e drejtpërdrejtë. Reklamë e hapur në mes të emisionit të lajmeve janë reklamat e zakonshme, ndërsa reklamë e fshehtë quhen kronikat- reklamë që i bëhen dikujt, siç mund të jetë lavdërimi i ndonjë biznesi apo ndonjë politikani me porosi. Transmetimi i kasetave të montuara është reklamë indirekte dhe është e dënueshme me ligjin për radiotelevizionin në Shqipëri. Këmbëngulja e Bashës për shkelje të ligjit është leksioni i dytë i hidhur që i jep elektoratit të Tiranës lidhur me arbitraritetin dhe mungesën e respektit për ligjin.

Duke mbushur fushatën me debate të tilla, Basha ndërkohë ka nxjerrë në një pozicion më të favorshëm se sa e meriton Edi Ramën, i cili arrin deri atje sa ta çojë dhe në Kolegj Zgjedhor çështjen e ndalimit të kasetave të montuara në fushatë, duke marrë flamurin e transparencës dhe zbatimit të ligjit dhe kjo falë gafës skandaloze të Bashës dhe stafit të tij.

Kur fushata të mbarojë javën tjetër dhe ne të bëjmë një përmbledhje të asaj çfarë kemi debatuar, do të rezultojë se gjatë gjithë muajit kemi përgjuar dhe kemi debatuar kush e dha dhe kush nuk e dha kasetën e Bashës, dhe a mori lek për atë që e dha apo mori ndonjë privilegj tjetër. E gjithë kjo duket se ka fyer rëndë PD dhe strukturat e saj, të cilat po përdoren si figurantë në një fushatë të montuar, të cilët duhet të bëjnë prova para stafit të Bashës për tu regjistruar në kasetë.

Sali Berisha, i zbuari i madh nga kjo fushatë, po sillet nëpër komunat e Shqipërisë duke premtuar arra, gështenja, shegë e lajthia, me një nervozizëm që i lexohet qartë në fytyrë për mbajtjen larg fushatës së Tiranës. Kjo është fushata e parë në historinë e tij politike, që ai ka pranuar të poshtërohet nga partia e vet. Në një situatë të ngjashme ka qenë pak a shumë në vitin 2001, kur njerëzit e tij në parti provuan Ritvan Boden si kryeministër të mundshëm nëse fitonin, pasi kishin turp ti përfaqësonte Berisha. Pas 2001, kjo është ngjarja më e rëndë politike për të, e cila në të vërtetë i ka hequr dhe thelbin e debatit fushatës për Tiranën.

Debati i dytë që po ngjallet brenda PD-së është përpjekja e Bashës për të kriminalizuar rivalët e tij në PD. Ai po përpiqet që përveç imazhit të Berishës të distancohet nga imazhi i Olldashit si krah i armatosur në PD, dhe duke ua prezantuar nën zë këtë dhe diplomatëve të huaj në Tiranë, të cilët ndoshta dhe kanë filluar ta besojnë. Pra, deri tani Basha po ecën me parimin e pastrimit të vetes duke bërë pis gjithkënd, përfshi Berishën dhe Olldashin me objektiv të vetëm arritjen e fitores. Pyetja është se kush do ta marrë përgjegjësinë nëse ai humbet, imazhi i tij, fushata e tij qesharake, apo fajtorët që ai ka gjetur dhe po i poshtëron gjatë fushatës?

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›