E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luhatjet e trarëve kufitarë të Shengenit

27-04-2011 / Nga Ilirian Dahri

Një takim “shumë-shumë pozitiv” për të gjitha temat e diskutuara. Kështu është shprehur Presidenti i Këshillit të Ministrave të Italisë, Silvio Berluskoni përgjatë konferencës së përbashkët të shtypit me Presidentin francez Nikolas Sarkozy ku u fol edhe për situatën në Libi dhe atë në Mesdhe për emigrimin dhe bashkëpunimin ekonomik dhe industrial mes dy vendeve. Nga ana tjetër Presidenti francez Sarkozy ka nënvizuar se “Duam që Shengeni të vazhdojë të jetojë  por për të jetuar duhet të reformohet” duke shtuar se “ndihem shumë i lumtur” për firmosjen e letrës mbi reformën e marrëveshjes së lëvizjes së lirë në hapësirën Europiane drejtuar institucioneve europiane. Më tej presidenti francez ka nënvizuar - se nuk ka rëndësi i kujt është faji, nuk mund të ketë tensione mes Francës dhe Italisë duke aluduar për replikat që së fundmi dy shtetet kanë patur. Në fakt replikat dhe polemikat e dy javëve para takimit të Romës ishin të shumta. Vetëm disa ditë më parë, Presidenti i Këshillit të Ministrave të Italisë Silvio Berluskoni, në një letër që i drejtonte sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Tarçizio Bertone, vinte në dukje se Italia po pret me zemër të hapur emigrantët e ardhur nga Afrika e Veriut. Por ardhja e mundimshme e emigrantëve drejt Italisë, që ikin prej pasigurisë që sjell lufta në vendet e tyre tashmë drejt një procesi demokratik, ka evidentuar  përsëri problemet që mund të krijohen në hapësirën Shëngen nga këto prurje emigrantësh. Në fakt problemet u shfaqën shpejt mes dy vendeve themelues të Bashkimit Europian si Italia dhe Franca. “Nëse lejon emigrantët të hyjnë pa u konsultuar me partnerët, pastaj nuk mund t’i dërgosh tek fqinji të gjithë ata që ke pranuar të hyjnë”- do të shprehej ditë më parë Henri Guaino, këshilltar special i presidentit Nicolas Sarkozy në një intervistë për Le Monde, përpara takimit franko-italian duke vazhduar se: “Askush nuk mund të përballojë i vetëm prurjen e emigrantëve. Franca është një prej vendeve më mikpritëse në botë”. Pas këtyre deklaratave duket se tonet janë qetësuar disi. “Të martën do të diskutojmë qetësisht. Marrëdhëniet franko-italiane janë antike, të përhershme, të thella dhe miqësore dhe gjithçka do të rregullohet” dhe se “Parisi nuk kërkon të pezullojë Shëngenin. Sfida jonë është që të ndihmohen këto vende në rrugën e demokracisë”. Në këtë klimë bashkëpunimi takimi i Romës mes Italisë dhe Francës do të vazhdojë më tej edhe për problemet e emigracionit, ato të traktaktit të Shëngenit por edhe për temat ekonomike dhe patrullimin europian të kufijve që aktualisht ka pak mjete në dizpozicion.
Gjithsesi problemi i pezullimit të traktaktit të Shëngenit nga ndonjë shtet anëtar i Bashkimit Europian shfaqet aty këtu. Një traktakt i cili u krijua për të hequr kontrollet sistematike të personave në kufijtë e brendshëm të hapësirës Shëngen, për të forcuar  kontrollet e kufijve të jashtëm të hapësirës Shëngen, që solli një bashkëpunim të  forcave të policisë të cilat në ndonjë rast mund të ndërhyjnë edhe jashtë kufirit, një bashkëpunim të shteteve në luftën kundër krimit të organizuar sidomos të atij ndërkombëtar dhe trafiqeve të ndryshme të armëve, të drogës apo klandestinëve dhe së fundmi bëri të mundur edhe integrimin e të dhënave të forcave të policisë nganjëherë duket i brishtë përballë situatave të paparashikueshme. Çdo shtet nënshkrues i marrëveshjes mund të pezullojë përdorimin e traktaktit për një periudhë të kufizuar dhe për motive të specifikuar. Zakonisht pezullimi fillon kur një shtet kërkon të forcojë masat e sigurisë kur ka të bëjë me ngjarje të rëndësishme në jëtën e atij vendi. Edhe vetë shteti  Italian e ka pezulluar traktaktin e Shëngenit përpara dhe përgjatë dy mbledhjeve të G8 të mbajtura në Xhenova dhe Akuila, në vitin 2001 dhe 2009 madje në Itali janë krijuar organe të posaçme për kontrollin e marrëveshjes së Shëngenit siç është  Komiteti Parlamentar i kontrollit të zbatimit të marrëveshjes së Shëngenit, që kontrollon edhe aktivitetin e Europolit dhe emigracionit. Por traktati i Shëngenit mund të përcaktohet edhe si një bashkëpunim sigurie brenda Bashkimit Europian. Marrëveshja e cila u firmos në Shëngen një qytezë e Luksemburgut, dhe u nënshkrua më 14 qershor 1985  nga Belgjika, Franca, Gjermania Luksemburgu dhe Vendet e Ulëta (Italia e ka firmosur në vitin 1990, Spanja dhe Portugalia më 1991, Greqia më 1992, Austria më 1995 dhe Finlanda, Suedia dhe Danimarka një vit më vonë), përcaktonte  eliminimin e kontrolleve të kufijve të përbashkët për të futur një regjim të qarkullimit të lirë për shtetasit e vendeve firmëtare, të shteteve të tjera anëtare apo dhe të vendeve të treta dhe hyri në fuqi vetëm në vitin 1995. Gjithashtu marrëveshja por edhe konventa e Shëngenit me të gjitha rregullat e saj (bashkëpunim i ngushtë mes shteteve për të nxitur proçesin e integrimit të Bashkimit Europian siç është bashkimi doganor, rregullat e konkurrencës për funksionimin e tregut të brëndshëm, ruajtja e burimeve biologjike të detit dhe një politikë të përbashkët tregtare), ka formuar një  pilastër dhe  që prej 1999, është integruar në kuadrin institucional dhe juridik të Bashkimit Europian pas protokollit të Traktaktit të Amstërdamit. Vendet e tjera anëtare të Bashkimit Europian janë të detyruar të hyjnë në hapësirën Shëngen dhe duhet të pergatisin të gjithë infrastrukturën e nevojshme për të implementuar sistemin e informacionit Shëngen.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›