Basha përkujton Ibrahim Rugovën: Vizioni i tij mbetet ylli polar për të ardhmen e Kosovës

TIRANË, 2 dhjetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, përkujtoi sot liderin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, në 80-vjetorin e lindjes.
Në një postim në rrjetet sociale, Basha e cilësoi Rugovën një burim frymëzimi dhe vizionar për Kosovën e pavarur.
Ai theksoi rëndësinë e ruajtjes së vizionit të Rugovës për një Kosovë të lirë, në aleancë të përhershme me Shtetet e Bashkuara dhe si pjesë e Bashkimit Europian.
“Me Ibrahim Rugovën kam patur fatin dhe nderin të njihem herët në rininë time. Çdo takim me të ka qenë një moment i veçantë frymëzimi për mua teksa dëgjoja për vizionin e tij për Kosovën e Pavarur. Sot me mirënjohje përkujtojmë në 80-vjetorin e lindjes, Presidentin Ibrahim Rugova, liderin vizionar, arkitektin e Kosovës së pavarur”, u shpreh ai.
Sipas Bashës, “vizioni dhe vendosmëria e Presidentit Ibrahim Rugova janë guri i themelit mbi të cilin u ngrit shteti i pavarur e demokratik i Kosovës, i cili po konsolidohet çdo ditë e po rreshtohet krah për krah shteteve të tjera demokratike”.
“Projekti i tij i qartë për Kosovën e lirë dhe të pavarur në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara dhe anëtare e Bashkimi Europian duhet të vijojë të mbetet ylli polar për politikën e sotme dhe të ardhmen e Kosovës”, tha Basha.
/m.m/j.p/