Çështja Bechetti, grupi parlamentar i PD-së kërkesë për interpelancë me Kryeministrin Rama

TIRANË, 2 dhjetor/ATSH/ Grupi parlamentar i Partisë Demokratike kërkoi sot zhvillimin e një interpelance urgjente me Kyeministrin Edi Rama, me qëllim dhënien e informacioneve dhe shpjegimeve të detajuara lidhur me ekzekutimin e vendimit “Becchetti dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, të Qendrës për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID).
Në kërkesën e grupit parlamentar të PD-së drejtuar kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, theksohet se “në prill 2021, opinioni publik shqiptar është njohur me vendimin “Becchetti dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, të marrë nga Qendra për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve pranë Bankës Botërore (ICSID), e cila kishte vendosur t’iu akordonte palëve paditëse një dëmshpërblim në vlerën 110 milionë euro nga Republika e Shqipërisë, përfshirë interesat dhe shpenzimet gjyqësore”.
“Për ICSID ishte e qartë se në këtë rast nuk kemi pasur të bëjmë me një proces të rregullt ligjor, por vetëm me një proces të motivuar politikisht, që kishte për qëllim mbylljen e televizionit dhe shkatërrimin e sipërmarrjeve të biznesmenit italian Francesco Becchetti në Shqipëri”, thuhet në kërkesë.
Gjithashtu në kërkesë sqarohet se “në javën e dytë të nëntorit, mediat shqiptare raportuan gjerësisht se një përmbarues belg kishte arritur të ekzekutonte vlerën e plotë të dëmit në favor të biznesmenit italian nëpërmjet fondeve të Albcontrol, që mbaheshin të bllokuara në llogarinë e Eurocontrol prej dhjetorit 2020”.
“Sipas raportimeve mediatike, në 12 nëntor 2024, Eurocontrol ka njoftuar zyrtarisht qeverinë shqiptare dhe kompaninë Albcontrol për kryerjen e ekzekutimit të plotë të vendimit të ICSID. Megjithatë, deri në datën e paraqitjes së kësaj kërkese, nga ana e qeverisë shqiptare dhe kompanisë Albcontrol nuk ka pasur asnjë reagim a qëndrim zyrtar sa i përket vërtetësisë së raportimeve mediatike dhe në funksion të transparencës së plotë me taksapaguesit shqiptarë, të cilët për shkak të veprimeve arbitrare e të paligjshme të kryera nga zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar, si Kryeministri, Kryebashkiaku i Tiranës dhe Sekretari i Përgjithshëm i qeverisë duhet të shlyejnë faturën më të lartë në historinë e arbitrazheve ndërkombëtare me palë shtetin shqiptar”, thuhet në kërkesë.
“Qeveria dhe kompania Albcontrol kanë për detyrë të informojnë Kuvendin e Shqipërisë, dhe nëpërmjet tij qytetarët shqiptarë lidhur me vërtetësinë e këtij procesi, përgjegjësit dhe pasojat e këtij dëmi kaq të lartë financiar”, thuhet në kërkesën e grupit parlamentar të PD-së. /k.s/j.p/