E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Protestë para Kryeministrisë kundër marrëveshjes për refugjatët me Italinë

TIRANË, 2 dhjetor/ATSH/ Me moton “Marrëveshje ilegale, rezistencë globale” dhjetëra aktivistë shqiptarë dhe italianë protestuan sot para Kryeministrisë në Tiranë kundër marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë për strehimin e emigrantëve.

Me pankarta në duar dhe duke brohoritur “Marrëveshje ilegale” të rinjtë shqiptarë, por edhe të huaj shprehën kundërshtimin e tyre ndaj kampeve të refugjatëve në Gjadër.

Pas Kryeministrisë, protestuesit u drejtuan pranë godinës së ambasadës së Italisë, në Tiranë.

“Ne besojmë se është e nevojshme të protestojmë si në Itali ashtu edhe në Shqipëri së bashku, shqiptarë dhe italianë. Miqësia e vërtetë mes dy vendeve është kjo këtu, të bëhemi së bashku për të gjetur drejtësi. Personat që emigrojnë kërkojnë pasaportë evropiane, kështu që ti nuk mund të shkelësh një rregull të qartë të BE-së që kërkon azil aty ku ke shkuar”, tha një protestues.

Një tjetër protestues u shpreh se “Italia duhet të mbajë atje personat që zbarkojnë në Itali, kjo është një deportim, kjo është t’u heqësh të drejtat njerëzve dhe është një krim që do të denoncohet në Itali dhe në Komunitetin Evropian sepse kjo është një falimentim për politikën evropiane për emigracionin”.

Një ditë më parë, aktivistët italianë së bashku me ata shqiptarë kanë protestuar edhe pranë kampeve në Shëngjin dhe Gjadër të Lezhës, kundër marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë për strehimin e emigrantëve.

Aktualisht kampi i Gjadrit është totalisht i boshatisur dhe nuk ndodhet asnjë emigrant, pasi Gjykata e Romës bllokoi dërgimin e tyre dhe grupi i dytë prej 7 azilkërkuesve u kthyen sërish në Itali.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›