Basha përuron hapjen e ambasadës shqiptare në New Delhi

Ministri Punëve të Jashtme, vizitë 3 ditore në Republikën e Indisë
TIRANE - Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, është nisur dje për një vizitë 3 ditore në Republikën e Indisë. Kjo është vizita e parë e këtij niveli që zhvillohet në marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve. Gjatë vizitës në Indi, Ministri Basha do të zhvillojë takime me homologun e tij indian Pranab Muhjerjee, zyrtarët më të lartë të vendit, si dhe me përfaqësues të biznesit indian. Tematika kryesore gjatë bisedimeve që Ministri Basha do të zhvillojë me zyrtarët e lartë do të jenë bashkëpunimi dypalësh dhe shumëpalësh ndërmjet dy vendeve, si dhe zhvillimet në politikën ndërkombëtare rajonale dhe globale. Në axhendën e Ministrit Basha është parashikuar edhe një vizitë në Selinë e Urdhrit të Nënë Terezës në Kalkuta, si dhe do të marrë pjesë në ceremoninë zyrtare të hapjes së ambasadës së Republikës së Shqipërisë në New Delhi. Në këtë vizitë, Ministri Basha shoqërohet nga Zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës Eno Bozdo, dhe përfaqësues të dhomave të tregtisë.