E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodi Zgjedhor - LSI propozon amendamentet e saj për përbërjen e KQZ-së

TIRANE - Lëvizja Socialiste për Integrim ka depozituar dje në komisionin e posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore amendamentet e saj në lidhje me Kodin e ri Zgjedhor, komisioni që u rikrijua me vendim të shumicës së deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë në seancën plenare të ditës së hënë.
LSI kërkon ndryshimin e neneve 14 dhe 29 të këtij Kodi, duke rekomanduar që si 7 anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhore ashtu edhe ata të Komisioneve Zonale të ndahen sipas kësaj formule: tre anëtarë të propozohen përkatësisht nga partia e parë, e dytë dhe e tretë e shumicës parlamentare dhe tre anëtarë propozohen përkatësisht nga partia e parë, e dytë dhe e tretë e opozitës parlamentare.
I pyetur nëse LSI ka sinjale nga Partia Socialiste në lidhje me apelet e njëpasnjëshme të Ilir Metës ndaj Edi Ramës në lidhje me këtë çështje, Sekretari i Përgjithshëm, Petri Vasili nuk dha dje një përgjigje konkrete ndërsa la të nënkuptojë se ndonjë përgjigje pozitive nga selia rozë ende nuk duket. “Besoj që vendi për dhënien e sinjaleve të tilla është Komisioni i Reformës Zgjedhore, i cili tashmë, besojmë se ndoshta do të bëhet më së fundi transparent dhe publiku do të kuptojë qëndrimet e qarta të secilës forcë politike”, deklaroi Vasili. Ndërkaq për sa i përket debatit për projektligjin e dosjeve, Vasili tha se e gjithë kjo iniciativë e fundit, “abortive, për të ashtuquajturin ligjin e dosjeve apo të spiunëve, të pagëzuar në mënyrë gjithfarësh, ka qenë konsideruar nga ne një farsë e radhës për të krijuar një fokus vëmendje të re politike për opinionin publik, një vëmendje dhe një fokus i paqenë. Duke qenë një farsë, ajo nuk do ta meritonte votën tonë, sepse ne nuk votojmë farsë”, theksoi Vasili.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›