E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha pret Mirel: Ecuri në plotësimin e kritereve

Përmbushja e kritereve të përcaktuara në udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave dhe ecuria e projekteve të financuara nga Bashkimi Europian ishin temat kryesore të diskutimit në takimin që Ministri i Brendshëm Lulzim Basha zhvilloi sot me Pierre Mirel, Drejtor për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Zgjerimit të KE.
Në këtë aspekt Basha përmendi faktin se numri i pasaportave biometrike për qytetarët shqiptarë ka shkuar në 280 mijë dhe në të gjitha pikat e kalimit kufitar funksionojnë tashmë sistemet më moderne të kontrollit dhe analizës së informacionit kriminal, të cilat në tërësi përbëjnë sistemin më të përparuar të kontrollit kufitar në Ballkanin Perëndimor.
Ministri Basha i bëri të ditur Mirel se të gjitha projektet e financuara nga BE kanë pasur një ecuri pozitive dhe kanë dhënë një ndihmesë të rëndësishme për arritjen e standarteve të kërkuara në shërbimin policor, në administratën publike, modernizimin e sistemit të gjendjes civile, kontrollin kufitar etj. Ministri Basha paraqiti gjithashtu në takim disa nga treguesit kryesorë të luftës kundër kriminalitetit, trafikut të drogës dhe korrupsionit.
Ai nënvizoi se vetëm gjatë dy javëve të fundit ka patur një sërë arrestimesh për korrupsion, janë zbuluar mbi 16 vrasje të vjetra e të reja, si dhe janë goditur grupe të trafikut të drogës. Basha iu përgjigj edhe interesimit të Mirel për nivelin e bashkëpunimit rajonal, duke theksuar se ky bashkëpunim ka shënuar rezultate mjaft të larta në luftën kundër kriminalitetit dhe trafiqeve të paligjshme, e ndërkohë ka shprehje të vullnetit nga të gjitha vendet e rajonit për të thelluar më tej këtë bashkëpunim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›