E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha refuzon Shqipërinë, kërkon Zvicrën

Pas muajve të tërë pritjeje, Migjen Basha duket se ka hequr përfundimisht dorë nga përfaqësuesja shqiptare. Mesfushori, i cili luan tek Atalanta në Serinë B e ka konfirmuar këtë vendim, që ka ardhur pas refuzimit të Federatës Zvicerane për ta lejuar të luajë me fanellën kuqezi.
“Më është bërë ftesë nga Shqipëria, por nuk e di se për çfarë arsye Zvicra nuk ka dashur që unë të luaj me përfaqësuesen. Tashmë të shohim nëse do të arrij të aktivizohem me Kombëtaren zvicerane”.
Basha ka lindur në Lozanë, nga prindër me origjinë nga Suhareka e Kosovës. Më parë ai ka luajtur me përfaqësueset U-17 dhe U-19 të Zvicrës pa pasur pasaportën shqiptare dhe ky ishte ngërçi që bënte të pamundur aktivizimin e tij me Shqipërinë. Duke qenë se 23-vjeçari, i sponsorizuar nga Igli Tare dhe Lorik Cana dhe i pëlqyer nga trajneri Josip Kuzhe, nuk ishte në planet afatshkurtra të Kombëtares helvetike, Federata Shqiptare e Futbollit shpresonte se do të gjente mirëkuptimin e homologes së saj zvicerane. Megjithatë, përgjigjja për lejekalimin e Bashës ishte negative dhe duket se përfaqësimi i tij me fanellën kuqezi nuk do të realizohet.
Lojtari ka folur edhe për aventurën tek Atalanta. Kur u transferua në Bergamo në qershor 2010, ai shpresonte që të kishte më tepër hapësira në formacionin titullar, megjithatë, në pjesën më të madhe të sezonit, mesfushori është detyruar t`i ndjekë shokët e skuadrës nga stoli i rezervave. “Në fillim të sezonit kisha shpresa se do të jepja kontributin tim. Ndërkohë, në merkaton e janarit mora disa oferta, por preferova të qëndroja. Asnjëherë nuk kam bërë polemikë, por punoj ashtu si bëj gjithmonë, duke pranuar zgjedhjet e trajnerit dhe të klubit”, përfundoi Basha.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›