E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushat në gjendje të rëndë, FFK bën lëshime

Nga Express më 23 shkurt 2011 në ora 12:03

Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), të martën ka mbajtur mbledhjen e radhës ku ka debatuar për përgatitjet e fillimit të stinorit pranveror.

Komiteti Ekzekutiv shqyrtoi edhe raportin e Komisionit për inspektimin e fushave dhe sipas kryetarit të këtij komisioni, Agim Maloku, të gjitha fushat e futbollit, me përjashtim të 3-4, nuk i plotësojnë kushtet për t’u zhvilluar ndeshjet.

“Është një konstatim se fushat e futbollit në Kosovë janë larg atyre kritereve dhe kushteve që i përcakton UEFA e FIFA, mirëpo mes zhvillimit të futbollit dhe të ndalesës, KE-ja po detyrohet të bëjë zgjidhjen e parë duke lejuar edhe lëshime, por me kusht dhe shpresë që infrastruktura do të përmirësohet”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga FFK-ja.

Ndër të tjera, në këtë njoftim thuhet se FFK-ja është e vetëdijshme se klubet po përballen me vështirësi dhe në këtë drejtim nuk janë të kënaqur me qasjen që kanë kuvendet komunale, por edhe Qeveria, ndaj infrastrukturës, sepse pronësia e fushave ka mbetur pezull dhe askush nuk po ka kurajë të investojë.

“U kërkohet të gjitha organeve relevante, qoftë lokale, qoftë qendrore, që të bëjnë më shumë në këtë drejtim, sepse sporti, e në veçanti futbolli, është interes shtetëror dhe kombëtar. KE i FFK-së do të kërkojë po ashtu nga qeveritë lokale, nga Qeveria dhe Ministria e Sportit që të gjejnë format e duhura ligjore për menaxhimin e fushave si dhe përkrahjen e duhur për donatorët e futbollit”, thuhet në fund të njoftim.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›