E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha shpalos para investitorëve projektet për Tiranën

Ai priti një grup prej rreth 40 biznesmenësh dhe investitorësh,  nga vende të ndryshme të botës, të cilët janë pjesë e organizatës së biznesmenëve të rinj.

Kryetari i Bashkisë u bëri një prezantim të të gjitha projekteve, që parashikon të ndërmarrë në Tiranë si dhe reformave ekonomike e financiare, për ta bërë Tiranën, qytetin më atraktiv për investitorët e huaj. Basha tha se Bashkia do të jetë një njësi shërbimi ndaj qytetarëve, investitorëve dhe biznesit. Bashkia - tha Basha, do të shndërrohet në një urë lidhëse mes biznesit dhe studentëve, të cilët janë një potencial i jashtëzakonshëm për zhvillimin e qytetit.

“Para së gjithash, unë e shoh këtë Bashki si një njësi shërbimi për investitorët dhe bizneset, sepse unë e shoh biznesin dhe investimet, si partnerët më të mirë për qytetin dhe ku fokusi duhet të jenë interesat e qytetit. Së shpejti, qyteti do të ketë 100 mijë studentë dhe në mënyrë që të lehtësojmë futjen e këtij kontingjenti në tregun e punës, ne kemi ndërmarrë dy projekte, njëri financohet në pjesën më të madhe nga Bashkia dhe një pjesë e financimit vijnë nga fondet e Fondit Amerikan për Zhvillim dhe institucione të tjerë, për të formuar një urë mes botës akademike dhe tregut të punës”, theksoi Basha.

Ai nënvizoi se në majin e vitit të ardhshëm do të jetë gati plani urbanistik,  në të cilin përfshihen një sërë projektesh strategjike të cilat do t’i japin një frymëmarrje të re qytetit dhe një mundësi më shume sipërmarrësve vendas dhe të huaj, për të investuar në Tiranë.

 “Shumë zona të qytetit do të përfshihen në planin e ri urbanistik i cili mendohet të jetë gati në majin e vitit të ardhshëm dhe që do i japë mundësi të shumta biznesit, që nga prodhimi, shërbimet dhe shumë degë e fusha të tjera të aktivitetit ekonomik. Ne do ofrojmë mundësi për të gjithë ata që synojnë të sjellin investime në Tiranë. Transporti publik do të nxitet përmes linjave të tramavajit, Unaza e Madhe është në ndërtim. Qyteti ka shtuar shumë shkolla dhe ka më shumë se 5 spitale private që ofrojnë vëmendje mjekësore etj. Tirana është në zemër të Evropës”, shtoi kryebashkiaku.

Biznesmenët dhe investitorët, të shoqëruar edhe nga stafi i Bashkisë panë nga afër punimet që po kryhen për rehabilitimin e sheshit “Skënderbej”. Ata vizituan më pas edhe simbolin e Tiranës,  Kullën e Sahatit. Ata  u ngjitën në Kullën 181 vjeçare, 35 metra të lartë, duke pare prej andej Tiranën. Më pas, vizituan Ekspozitën e hapur, në ambientin e Muzeut të Orëve,  Kulturë dhe Vazhdimësi”, ku  janë paraqitur veshje të punuara dhe objekte, të cilat datojnë në fundin e viteve 1800,  dhe punime të artizanatit të periudhës 1920 deri në çlirimin e vendit. /S.Ll/Start/

                                                                                             2011-11-11 14:20
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›