E Shtunë, 31 Tetor 2026

RENEA dëshmon forcën në 20 vite jetë

Të pranishëm në këtë ceremoni kanë qenë Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, etj. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, theksoi se përgjatë 20 viteve, arritjet dhe sukseset e njësisë speciale “RENEA” e bëjnë të ndjehet krenare Policinë e Shtetit dhe gjithë shoqërinë shqiptare, por njëkohësisht  e ndërgjegjësojnë atë për përpjekjet dhe sakrificat e mëdha, deri në aktin më sublim, të personelit të këtij reparti.

“Puna dhe përkushtimi i personelit të këtij reparti, është dëshmi e vullnetit të palëkundur të Policisë së Shtetit për të luftuar krimin “me zero tolerancë”, në çdo formë që shfaqet. Vlerësimet e deritanishme nga qytetarët, shteti dhe gjithë shoqëria, na bëjnë të ndihemi më të motivuar se kurrë në këtë luftë të gjatë e pa kompromis kundër krimit”, u shpreh z. Burgaj.

Në fjalën e tij, Burgaj kujtoi gjithashtu me krenari e respekt të thellë tre oficerët e policisë të rënë në krye të detyrës, “Dëshmorët e Atdheut”, Lulëzim Sulollarin, Arben  Ujkën dhe El’ham Elezin. Ndërsa Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, duke vlerësuar profesionalizmin dhe guximin e treguar në çdo rast gjatë veprimtarisë së Forcës Speciale RENEA, u shpreh se këto forca janë so krenarë përpara flamurit të kombit. “Unë besoj se niveli profesional që ju sot keni, kuraja që ju keni, gatishmëria që ju keni treguar në çdo moment, do të vijë duke u shumëfishuar, do të vijë duke u bërë më e përgjegjshme dhe më rezultateve”, tha Nishani.

Ndër të tjera Ministri Nishani, në emër të Qeverisë Shqiptare dhe Ministrisë së Brendshme, u ka garantuar forcave speciale të RENEA-s mbështetjen e vazhdueshme të veprimtarisë së këtij reparti.Në kuadër të këtij përvjetori të RENEA-s, Presidenti i Republikës, z. Bamir Topi,  ka dekoruar Njësinë Speciale RENEA me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, dekoratë e cila është dorëzuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Presidencës, Aleksandër Flloko.

RENEA, (Reparti i Neutralizimit të Elementit të Armatosur), është Forca Speciale e vetme e Policisë së Shtetit Shqiptar, e cila është krijuar në Nëntor të vitit 1991. Detyrat e kësaj Force Speciale janë: Çlirimi/Shpëtimi i pengjeve në kushte të larta sigurie; Mbrojtja e institucioneve dhe shtetasve nga aktet terroriste; Arrestimi i personave  dhe grupeve të personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore; Ruajtja e Personaliteteve të larta Shqiptare dhe të Huaja në raste të veçanta, kur ka të dhëna se kundër tyre mund të ketë akte terroriste; si dhe dhënia e ndihmës së popullsisë në raste aksidentesh të ndryshme ose fatkeqësi natyrore. /Start/

                                                                                             2011-11-11 14:52
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›