Basha takime në Fier, Rama: Bën përsheshe me virus për politikë!

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u takua sot me qytetarë dhe përfaqësues të biznesit në Fier. Teksa iu kërkoi që të mbajnë maskat dhe mos t’i shkelin masat kundër COVID, Zoti Basha tha se në rast fitoreje në zgjedhjet e 25 Prillit, si Kryeministër do të punojë për të gjithë shqiptarët, pavarësisht bindjeve të tyre politike. “Plani ynë do bëjë të mundur stabilizimin e gjendjes që të mos detyroheni të mbyllni qepenat. Një ditë pozitive bashkimi më 25 prilli. Do ju çlirojmë nga çdo stres dhe çdo problem i këtyre 8 viteve. Të gjithë bëhemi bashkë më 25, ta çlirojmë vendin nga e keqja dhe të sjellim pozitivitet”, premtoi zoti Basha.
Ndërkohë kryeministri socialist Edi Rama me anë të një postimi në Facebook e akuzon Partinë Demokratike se nuk respekton masat antiCovid. Duke i vënë në një linjë, kreu i qeverisë tha se njëra lufton për të shpëtuar jetën e të gjithëve pa dallim, ndërsa forca tjetër politike, duke iu referuar PD-së, bën përsheshe me virus për politikë pa din e as iman.“DY BOTË – Njëra lufton për të shpëtuar jetën e të gjithëve pa dallim, tjetra bën përsheshe me virus për politikë pa din e as iman… *Vazhdon vaksinimi masiv në gjithë Shqipërinë😍 Vazhdon paralelisht edhe infektimi masiv, për vete hipur mbi makinë, nën këmbë ta hajë kush ta hajë”, shkruan zoti Rama.