E Martë, 3 Nëntor 2026

Basha takime në njësinë 9: Koalicioni Euroatlantik, alternativa reale kundër pandëshkueshmërisë

TIRANË, 6 maj /ATSH/ Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, ka vijuar takimet derë më derë me qytetarët e Tiranës për t’u shpjeguar atyre në detaje programin e grupimit të tij politik dhe duke u bërë ftesë që në zgjedhjet e së dielës të votojnë numrin 4, Koalicionin Euroatlantik.

Ndalesa e tij e radhës ka qenë në Njësinë 9 në Tiranë, ku ai shprehu rëndësinë që njerëzit të dalin më 11 maj për të votuar, pasi në të kundërt i zgjatet jeta pushtetit të korruptuar.

“T’i nxjerrësh njerëzit të votojnë është gjëja më e rëndësishme. Po qëndruat në shtëpi, ia keni zgjatur jetën këtij”, u shpreh Basha.

Njëkohësisht, drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik u shpreh i sigurt se më 11 maj një pjesë të ndryshimit do ta bëjë vota, ndërsa një pjesë tjetër do ta bëjë drejtësia pas zgjedhjeve.

Basha tha se Koalicioni Euroatlantik ka edhe një program të qartë për rininë dhe teknologjinë e informacionit me ngritjen e katër kampuseve me theks teknologjinë dhe inteligjencën artificiale.

“Jemi e vetmja forcë politike që kemi programuar shpenzimin më të madh publik në vendin tonë, kemi ngritjen e katër kampuseve me theks Teknologjinë e Informacionit. Pra, vota për ne është votë për të shpenzuar për shqiptarët 1 miliard euro në katër vitet e ardhshme për katër kampuse. Ideja që gjenerata e të rinjve të trajnohet nga më të mirët e Europës, SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe”, u shpreh Basha.

Programi dhe ekipi i drejtuar nga Basha është pritur mirë nga qytetarët sa herë që dëgjojnë të flitet për të.

Këto takime të Bashës vijnë në një kohë kur dhe pak ditë kanë ngelur nga zgjedhjet e 11 majit, ndërkohë që Koalicioni Euroatlantik pritet ta mbyllë zyrtarisht fushatën ditën e enjte. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›