E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama qytetarëve në Kavajë: Mirë qytetin s’jua bëri, por ju “hëngri” edhe njeriun që zgjodhët vetë

TIRANË, 6 maj/ATSH/ Kryeministri e njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama u bëri thirrje sot qytetarëve të Kavajës, dhe sidomos atyre demokratë, që të votojnë PS-në në zgjedhjet e 11 majit.

Në fjalën e tij gjatë një takimi në Kavajë për prezantimin e arritjeve kyçe për sektorët më të rëndësishëm dhe sfidat e Shqipërisë 2030 në BE, Rama tha se “sot ne jemi këtu për të folur për 11 majin, për një fushatë kombëtare dhe një palë zgjedhje, por ja përçmimi i dikurshëm dhe ajo ndjesia e tmerrshme që ia morën Kavajës votën në mënyrën më pa kushte, është karakteristika e asaj “kënete” dhe atij “bufi” në krye të “kënetës” që njerëzit i do si specie nën hyqmin e vet dhe që asnjëherë nuk mendon se si t’i ngrejë, përkundrazi mendon si t’i mbajë nën vete”.

“Sot ne vijmë këtu me këtë skuadër dhe në anën tjetër ka një skuadër tjetër. Mirëpo në atë skuadër në fakt më i rëndësishmi për ata që duan të dinë se për kë të votojnë më 11 maj është ai që s’është, më i rëndësishmi në atë skuadër për të gjithë ata që mendojnë se çfarë të bëjë në 11 maj apo për ata që akoma rrinë me sytë nga “këneta” është kryetari i PD-së së Kavajës që bëri një “faj” shumë të madh, fitoi primaret në të gjithë Tiranën”.

Kreu i qeverisë u shpreh se “duke fituar primaret në gjithë Tiranën përfundoi në barkun e  Bufit, e “hëngri” Bufi. Se Bufi nuk do individë të lirë, Bufi do skllevër. Bufi nuk do qytete të bukura, do vendbanime që të jetojnë vetëm me hijen e tij”.

Parafytyroni, vijoi Rama, Bufi mori mbështetje të pafundme në disa pika, por dy pika kanë qenë ato që e kanë mbështetur symbyllur: Tropoja dhe Kavaja.

“Janë dy pika që kanë pasur më pak investime nga qeveria e bufit se sa të gjitha të tjerat në gjithë Shqipëri. Mendoni se është rastësi, nuk është rastësi, mendoni se është rastësi që e hëngri Hysenin (H. Kadiu – fituesi i primareve të qarkut Tiranë – shën. i red.), nuk është në skuadër nuk është as në Kavajë, ua them unë ku është, te barku i Bufit”, theksoi Rama.

Nuk është vetëm Hysa, shtoi Rama, të gjithë ata që fituan në primare sepse kishin një fytyrë të tyren, sepse kishin një rreth të tyre, kishin një sinqeritet, sepse ishin aty në “kënetë”, por ama, sidoqoftë, kishin një njerzillëk të tyre, nuk janë në skuadrën e “kënetës”.

“Tani u them demokratëve të Kavajës që mendojnë të shkojnë në 11 maj dhe mendojnë ta hedhin votën në “kënetë”. Si ka mundësi, për çfarë ju duhet? A jua bëri qytetin? Qytetin aq sa është bërë e kemi bërë ne dhe aq sa do bëhet, do ta bëjmë ne. Po mirë qytetin s’jua bëri, por ju hëngri edhe Hysenin, nuk jua respektoi minimalisht njeriun tuaj që e zgjodhët vetë”, tha Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “sot po i them Pandit këtu në sytë tuaj: kjo është arsyeja Pandi që ke ardhur këtu, ne për Kavajën dhe Rrogozhinën natyrisht, por fiksimi është këtu. Nuk duam që të mbetemi në asnjë lloj borxhi, duam që Kavajës t’i dalim borxhit”.

/k.s/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›