Berisha në Berat: Sistemi arsimor do të jetë sistemi më modern që punëson të rinjtë

TIRANË, 6 maj /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha zhvilloi sot takimin përmbyllës elektoral në qarkun e Beratit.
Në fjalën e tij kryetari i PD-së u ndal te prezantimi i programit i të PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore.
Teksa kërkoi votën më 11 maj, Berisha tha se “qytetarët ftohen për një vendim historik, në vendimin e tyre ndoshta vendimin më të rëndësishëm të jetës së tyre, për t’u ndarë me një të keqe të madhe, që në mënyrën më të pamerituar i varfëroi ata nga viti në vit, 12 vite me radhë”.
“Që në mënyrën më të pamerituar dhe jashtë çdo imagjinate, la klasat e shkollave tona pa nxënës, shtëpitë pa fëmijë, djepet bosh, të moshuarit në vetmi të thellë dhe të frikshme”, tha Berisha.
Berisha premtoi se “se sistemi arsimor i Shqipërisë do të jetë sistemi më modern, sistemi që punëson të rinjtë”.
“Shkollat dhe universitetet do të funksionojnë në partneritet të plotë me ndërmarrjet publike dhe private”, tha Berisha.
Berisha shtoi se “kjo do të thotë se çdo universitet, publik apo privat, do të lidhë marrëveshje me kompani për të ofruar praktikë të integruar në program dhe do përfitojë mbështetje për të gjithë praktikën që do ofrojë për studentët dhe të diplomuarit që ndjekin këto praktika”.
/a.f/r.e/