E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha, tur diplomatik në kancelaritë perëndimore



Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, nisi sot një tur 6-ditor diplomatik në kancelaritë perëndimore, i cili do të fillojë në Bruksel, për të vijuar më pas në vendet nordike (Norvegji, Finlandë) dhe do të mbyllet në datën 7 dhjetor në Berlin (Gjermani). Zyra e shtypit e MPJ-së bëri dje të ditur kalendarin diplomatik të ministrit Basha i cili nga datat 2-7 dhjetor do të marrë pjesë në një seri aktivitetesh zyrtare shumëpalëshe. Sipas njoftimit për shtyp, në datat 2-3 dhjetor, në Bruksel do të zhvillohet mbledhja e radhës e ministrave të Punëve të Jashtme të NATO-s. Për herë të parë në një mbledhje të tillë do të marrin pjesë edhe ministrat e Jashtëm të Shqipërisë dhe Kroacisë, dy vende që priten të jenë anëtare të Aleancës në prill të 2009-ës, gjë që do të rikonfirmohet edhe nga ky ministerial. Temat kryesore që pritet të diskutohen në këtë mbledhje janë angazhimet e Aleancës në Afganistan e Kosovë, si dhe çështje të një rëndësie të madhe për sigurinë dhe stabilitetin evropian, si ato të zgjerimit të Aleancës, marrëdhëniet NATO-Ukrainë dhe NATO-Gjeorgji, si dhe bashkëpunimi i Aleancës me vendet e Mesdheut. Pasditen e datës 3 dhjetor, Ministri Basha do të udhëtojë drejt Oslos (Norvegji), ku do të nënshkruajë në emër të qeverisë shqiptare Konventën e OKB-së për Ndalimin e Municioneve Thërrmuese si dhe do të mbajë një fjalë gjatë ceremonisë së nënshkrimit. Në kushtet kur një pjesë e territorit të vendit në verilindje, është ende i kontaminuar me municione të paplasura që nga periudha e luftës së Kosovës, asistenca që sigurohet nga të qenit palë në këtë konventë, merr rëndësi të veçantë për vendin tonë. Në datat 4-5 dhjetor, Ministri Basha do të marrë pjesë në punimet e sesionit të 16-të të mbledhjes së ministrave të Punëve të Jashtme të OSBE-së që do të zhvillohet në Helsinki (Finlandë). Tema kryesore e ministerialit do të jetë rikonfirmimi i angazhimeve të marra nga shtetet anëtare të OSBE-së dhe diskutimi i qasjeve e propozimeve më të reja për të ardhmen e sigurisë në Evropë. Pritet që në fjalën e tij në ministerial, ministri Basha të rikonfirmojë vullnetin e autoriteteve shqiptare për të pritur numrin më të madh të mundshëm të vëzhguesve të ODIHR-it për zgjedhjet e ardhshme në vend dhe synimin e Shqipërisë për të marrë kryesinë e radhës të OSBE-së për vitin 2012. Në paraditen e 4 dhjetorit, në ambientet ku do të zhvillohet ministeriali i OSBE-së në Helsinki, ministri Basha, së bashku me kolegët e tij kroatë, maqedonas dhe amerikanë do të mirëpresin në një ceremoni zyrtare aderimin zyrtar të Bosnje-Hercegovinës dhe Malit të Zi, në Kartën e Adriatikut. Ndërsa në datat 6-7 dhjetor, ministri Basha do të marrë pjesë në konferencën e organizuar në Berlin nga instituti gjerman Aspen, me temë "Një Dialog i ri Transatlantik: Liderët Gjermanë dhe Amerikanë në Dialog me Ballkanin". Ministri Basha do të mbajë një fjalë me temë "Rezultatet e Samitit të NATO-s në Bukuresht në kontekstin e procesit të zgjerimit të BE-së në Evropën Juglindore". Në konferencë janë ftuar dhe do të marrin pjesë zyrtarë të lartë amerikanë, gjermanë dhe evropianë, ministrat e Jashtëm të vendeve të Evropës Juglindore dhe një numër parlamentarësh evropianë e gjermanë. Konferenca do të hapet nga Presidenti i Parlamentit Evropian, prof. dr. Hans-Gert Potering.

Gjatë këtyre aktiviteteve janë parashikuar edhe një numër takimesh dypalëshe të ministrit Basha me homologë të vendeve të tjera dhe me sekretarët e përgjithshëm të NATO-s dhe OSBE-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›