Milo zgjidh dilemën: Do bëhem me Ramën
Aleati i Metës zgjedh PS-në para zgjedhjeve
PDS në bisedime për një marrëveshje politike
Partia Demokracia Sociale kushtëzon bashkëpunimin me dy forcat më të mëdha të së majtës me mbështetjen që do t’i japë secila prej tyre në zgjedhjet e ardhshme parlamentare që përkthehet me mandat deputetësh. Kreu i PDS-së, Paskal Milo, pranoi dje se është në negociata me PS-në dhe me LSI-në, duke shtuar se shumë shpejt do të bëjë të ditur emrin e njërës prej këtyre dy forcave me të cilën thotë që do bëjë aleancë në zgjedhjet e ardhshme. "Do të nisemi në radhë të parë nga interesat e përfaqësimit të Demokracisë Sociale të cilat në një koalicion të ardhshëm duhet të prodhojnë një numër të caktuar deputetësh, me cilin koalicion në përbëjmë një forcë të madhe për të ardhur në pushtet", - tha Milo. Mungesa e një marrëdhënieje të ndërsjellë me LSI-në gjatë muajve të fundit bën të besosh se aleanca më e mundshme është me Partinë Socialiste. Madje, në homazhet tek Varrezat e Dëshmorëve, më 29 nëntor, Milo u shfaq përkrah Edi Ramës, një sinjal domethënës ky, që tregon se PDS-ja tashmë ka zgjedhur PS-në për aleate. Edhe vetë ai e pranoi se dalja përkrah Edi Ramës në homazhet e 29 Nëntorit lë të kuptojë se konfigurimi i ri i aleancave brenda së majtës është pranë dhe të pozicionimit të forcës së tij. "Fakti që na patë gjatë festave kombëtare së bashku me drejtues të tjerë të majtë dhe të opozitës shqiptare, është një mesazh që Demokracia Sociale do të vendosë gjatë ditëve të ardhshme me partnerët e saj në zgjedhjet parlamentare të 2009-ës", - tha Milo. Nga ana tjetër, ai pranoi se ka pasur negociata edhe me LSI-në, por nuk ka asnjë rezultat zyrtar të këtyre bisedimeve, si me Metën, ashtu dhe me Ramën.
Tanimë duket se vendimi është përfundimtar. LSI-PDS nuk kanë më komunikimin politik të mëparshëm, edhe pse Miloja vazhdon të jetë pjesë e grupit parlamentar “E majta për Integrim” të Ilir Metës. Marrëdhëniet filluan të mos jenë të mira qysh nga zgjedhjet e pjesshme në Kashar dhe u përvijuan në fillim të muajit shtator kur kreu i PDS-së u shfaq në një takim me Ramën e Gjinushin. Njëkohësisht, me acarimin e marrëdhënieve PS-LSI për Kodin Zgjedhor, Milo u solidarizua me grevën, por nga ana tjetër la të kuptohej se greva e urisë po zhvillohej për interesa personale. PDS-ja u bë pjesë e gjashtë partive që kontestuan Kodin e ri Zgjedhor, por nga ana tjetër nuk mori pjesë në protestën e organizuar nga pjesa tjetër e partive të vogla që janë kundër ligjit të ri elektoral.
PDS-ja prej kohës ka bërë të ditur se synimi i saj në zgjedhjet e ardhshme parlamentare është të ketë grupin e saj parlamentar dhe për këtë i duhet mbështetja e fuqishme e PS-së ose edhe e LSI-së. Nuk dihet ende se cila është marrëveshja që i është ofruar nga ana e Partisë Socialiste, por fundjavën e kaluar, sekretari për çështjet zgjedhore në këtë parti, Kastriot Islami shoi shpresat për ndihmë ndaj aleatëve më të vegjël. Ai u shpreh se PS-ja do të dalë e vetme në zgjedhje e do të konkurrojë edhe me aleatët e saj, ndërsa theksoi se në listën e kandidatëve për deputetë nuk do të ketë emra që vijnë nga parti të tjera.