Ndoka: PDK-ja, në zgjedhje pa aleancë me PD-në
Demokristianët përjashtojnë çdo lloj aleance me demokratët në zgjedhjet e reja parlamentare. PDK-ja synon të tjera koalicione me parti të vogla, qoftë edhe jashtë Parlamentit. Nard Ndoka bëri dje të ditur se me demokratët mund të ketë forma të tjera bashkëpunimi, por jo parazgjedhore, duke lënë mundësi bashkëpunimi me Lëvizjen për Zhvillim Kombëtar të Dashamir Shehit, me partinë e Spartak Ngjelës, që pritet të publikohet së shpejti. “Ne nuk do të bëjmë një koalicion parazgjedhor me asnjë forcë politike, pasi ne jemi qartazi të ndarë me pikëpamjet tona me Partinë Demokratike. Ka mundësi bashkëpunimi me forma nga më të ndryshmet, por jo një bashkëpunim parazgjedhor”, - tha kreu PDK-së, Nard Ndoka. Ai i bëri thirrje partisë më të madhe në pushtet të ndalë luftën e saj politike kundër prokurores së përgjithshme që ajo vetë e votoi në Kuvend. Sipas tij, është e habitshme se si PD-ja hedh akuza, në vend që të bashkëpunojë me Prokurorinë e Përgjithshme, të bashkëpunojë me sistemin e drejtësisë me akuzat që ka mbi supe, e jo të dalin e bëjnë një luftë politike duke i politizuar gjërat”, - theksoi z. Nard Ndoka.