E Diel, 1 Nëntor 2026

Berluskoni firmos sot 2.5 miliard euro investime



“FT” shkruan për vizitën e Berluskonit në Tiranë

Drekë e posaccme me krerët e politikës vendase

Një mik i shqiptarëve, nga një vend avokat i fortë në botë i aspiratave të tyre për integrimin e shpejtë në NATO dhe BE, Kryeministri italian, Silvio Berluskoni, rikthehet sot për herë të dytë në Tiranë. Pas 6 vitesh nga vizita e parë zyrtare, ai zbret në aeroportin “Nënë Tereza” në orën 11:00 nga ku i është rezervuar një pritje madhështore, me të gjitha nderimet që i përkasin një lideri botëror, i një vendi mik siç është Italia fqinje. Politika shqiptare, pavarësisht ngjyrimeve politike, e sheh Italinë si partnerin kryesor strategjik në marrëdhëniet ekonomike dhe politike dhe jo rrallëherë e ka cilësuar Italinë si Avokati i Shqipërisë në përpjekjet e saj për të përshpejtuar hapat drejt integrimit evropian të vendit. Pikërisht, ky mesazh pritet të konfirmohet edhe këtë herë në vizitën disaorëshe të Kryeministrit Berluskoni sot në Tiranë. Ndërkohë me marrëveshjet që do të firmosen sot në Tiranë Italia do të hyjë fuqishëm në tregun vendas sidomos atë të energjisë, por jo të asaj bërthamore sicc pritej, por në energjinë e prodhuar nga era. Bëhet fjalë për 2.5 miliard euro investime vetëm në fushën e energjisë, projekte për të cilat ministri i Ekonomisë Genc Ruli ka folur port gazetën prestigjioze Financal Times. Axhenda e Berluskonit është përqendruar në takimin me Kryeministrin Sali Berisha, firmosjen e disa marrëveshjeve ekonomike dhe një konference të përbashkët shtypi të dy kryeministrave. Më pas, parashikohet një takim me Presidentin Bamir Topi, i cili ka rezervuar një drekë për kreun e qeverisë italiane. Në drekën e Presidentit Topi me Silvio Berluskonin do të jenë drejtuesit kryesorë të politikës shqiptarë, Kryeministri Berisha, kryetarja e Parlamentit Topalli dhe kryetari i bashkisë, Edi Rama, një format ky i realizuar për herë të fundit gjatë drekës me Presidentin Bush, qershorin e kaluar.

“Financial Times”: Italia 2.5 miliard euro për energjinë në Shqipëri

Gazeta “Financial Times” i kushtoi dje një artikull vizitës së Kryeministrit italian në Shqipëri dhe projekteve energjitike që priten të firmosen. Në versionin online të gazetës “Financial Times” është dhe artikulli me titull "Italia dhe Shqipëria do të nënshkruajnë marrëveshje mbi energjinë". Projekte madhore të energjisë, përfshirë dhe atë që cilësohet si një nga projektet më të më mëdha të prodhimit të energjisë me anë të erës, do të nënshkruhen kur Kryeministri italian, Silvio Berluskoni do të takojë Kryeministrin shqiptar, Sali Berisha, sot në Tiranë.

"Kriza kronike e energjisë në Shqipëri dhe ambiciet e zotit Berisha për të krijuar një qendër aktive rajonale të energjisë në vendin e dytë më të varfër të Evropës, kanë hapur një treg të ri për shumë kompani italiane", - shkruan gazeta “Financial Times”. ”Ka gjithashtu një sens urgjence për Kryeministrin Berisha që përballet me zgjedhje në qershor, që të bindë shqiptarët të lodhur nga mungesat e vazhdueshme të dritave se atyre po u vjen ndihma”, - thotë artikulli. “Z. Berisha po ofron kushte tërheqëse për investitorët”, - shkruan “FT” , - por njerëzit e përfshirë në projekte, megjithatë sugjerojnë se ata mund të përballen me vonesa, japin paralajmërim për korrupsion, mungesë transparence në procedurat e aprovimit, mosmarrëveshje për tokën dhe rezistencë nga ambientalistët shqiptarë. Sipas njoftimeve, ministri i Shqipërisë i Energjisë, Genc Ruli, do të nënshkruajë dy projekte energjetike: një me vlerë 1 miliard euro kontratë me grupin “Falkone” të Italisë për ndërtimin e një uzine rigazifikimi pranë Fierit dhe një tubacion gazi nën det për në Itali dhe një marrëveshje me vlerë 1.5 miliardë euro për “Monkandën”, firma ndërtuese siciliane për projektin e prodhimit të energjisë me anë të erës, në gadishullin e Karaburunit si dhe një kabull energjie që do të shkojë nga Adriatiku në Itali. Deficiti i energjisë që ka Italia në ndërtimin e infrastrukturës së re, e bën Shqipërinë opsion tërheqës për burim të energjisë, thotë”, - “Financial Times”. Projekti për sigurimin e energjisë me anë të erës nga Monkada do të përfshijë 260 turbina, duke e bërë këtë një nga projektet më të mëdha në Evropë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›