Basha:Ulje të taksave dhe ristrukturim të administratës
Një ditë para mbledhjes së këshillit bashkiak, kryebashkiaku Lulzim Basha ka bërë publike një sërë vendimesh që do t`i paraqiten këshillit për shqyrtim dhe miratim.
Në një konferencë për shtyp, Basha theksoi se Këshillit do i paraqiten 5 propozime, mes të cilave, shpalljen “Nderi i Tiranës” të kryeministrit të Kuvajtit dhe aktores Eliza Dushku, vendimin e rëndësishëm për ristrukturimin e administratës së bashki dhe propozimin për uljen e taksave të bashkisë dhe kalimi i ekipit të Tiranës një shoqëri aksionere.
Sipas tij, këto propozime do të bëhen në bazë të parimit të bashkisë së Tiranës për të qënë në shërbim dhe interes të qytetarëve.
“Ulja e mbi 60 taksave dhe tarifave bashkiake është një premtim dhe ka të bëjë me përmriësimin e konkurenshëmrisë me komunat dhe bashkitë e tjera të vendit. Ulja e kombinuar me zbatimin në Tiranë të sportelit të vetëm për licensat dhe lejet” ka theksuar Basha
Gjithashtu Basha ka bërë me dije edhe për krijimin e Drejtorisë së investimeve strategjike,e cila sipas kryebashkiakut, do të kujdeset për projekte afatgjata.
"Bëhet fjalë për projekte 4-8 vjeçare si arteria në bulevardin kryesor, rehabilitimi i lumit të Tiranës, ndërtimi i linjave të tramit, apo unaza u madhe", deklaroi kryebashkiaku. Ai gjithashtu sqaroi se, tashmë në bashki do të ketë dy drejtori të veçanta: mbrojtja nga diskrimini dhe zyra për barazinë gjinore.
Përveç vendimeve të parashikuara në rendin e ditës për takimin e së mërkurës të Këshillit Bashkiak, kryetari Basha lajmëroi se do të kërkojë votën edhe për një projekt urgjent. Ai theksoi se do t`i kërkoj këshillit të aprovojë hapjen e tenderit për projektin teknik për segmentin e Unazës së Madhe, nga Shkolla Teknologjike deri në dalje të Tiranës së re. "Do kërkojmë partneritetin me qeverinë për të nisur menjëherë punimet. Pjesë do të jetë edhe rreth – rrotullimi i Doganës, ku kalimi do bëhet në dy nivele", tha Basha gjatë konferencës për shtyp në Bashki.