E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkë për veriun

Kryeministrat Sali Berisha dhe Hashim Thaçi kanë biseduar të dielën për situatën në veri, në një takim në Dhërmi. Berisha mbështet vendimin për bllokim të mallrave serbe dhe aksionin e policisë. Ai tha se fantazma e Serbisë së Madhe paraqet rrezik për paqen dhe stabilitetin në rajon. Dy Kryeministrat u pajtuan se çdo tendencë për ndryshim të kufijve të Kosovës do të përfshijë tërë rajonin Nga Valmir Klaiqi më 01 gusht 2011 në ora 08:28

(E plotësuar) Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka shprehur mbështetje për vendimin e Qeverisë së Kosovës për reciprocitet ndaj mallrave serbe, si dhe për aksionin e policisë speciale për zbatim të këtij vendimi në kufirin verior me Serbinë.
Ai ka biseduar të dielën me Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë një dreke pune në Dhërmi.

Kryeministri shqiptar ka dënuar ashpër dhunën ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe forcave të KFOR’it.

“Mbështesim operacionet e qeverisë së Kosovës dhe dënojmë aktet kriminale të fallangave të serbo-mëdhenjve në kufirin verior. Dënojmë vrasjen e një oficeri të policisë, sulmin e armatosur ndaj njësive të KFOR-it dhe i konsiderojmë këto akte dëshmi se fantazma e Serbisë së Madhe paraqet rreziqe për paqen dhe stabilitetin në rajon”, ka thënë kryeministri Berisha.

Dy kryeministrat kanë theksuar se tendenca eventuale për ndryshim të kufijve të Kosovës pason ndryshimin e kufijve të Ballkanit, thuhet në njoftimin për media të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës.

Berisha, gjatë takimit me Thaçin, ka shprehur mirëkuptimin dhe mbështetjen e fuqishme të tij dhe të Qeverisë shqiptare për vendimin legjitim të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në veriun e Kosovës.
Kryeministri Berisha, në të njëjtën kohë i ofroi kryeministrit Thaçi mbështetjen e parezervë dhe të vazhdueshme të shtetit shqiptar për qeverinë kosovare në këtë drejtim.
Gjatë takimit në jug të Shqipërisë, Kryeministri Hashim Thaçi e ka njoftuar homologun e tij shqiptar, për vendimin e Qeverisë së Kosovës për vënien e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërinë në pjesën veriore të Kosovës.

Kryeministri Thaçi ritheksoi qëndrimin se nuk do të ketë kthim prapa, nuk do të ketë asnjë zmbrapsje.

“Do të ketë vetëm ecje përpara dhe respektim të plotë të sovranitetit dhe integritetit të plotë të Republikës së Kosovës edhe në atë pjesë të vendit”, ka thënë Thaçi.

Kreu i ekzekutivit ka shtuar se me vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në veriun e Kosovës, është arritur që 12 vjet pas luftës të ndërpritet dhe të bllokohet në tërësi kontrabanda në pjesën veriore të vendit.

Mbështetjen për vendimin e Qeverisë së Kosovës për të bllokuar hyrjen e mallrave serbe në Kosovës, dhe marrjen nën kontroll të pikave kufitare 1 dhe 31 në veri të vendit,

Kryeministri Berisha ka shprehur mbështetje për autoritetet e Kosovës edhe para disa ditësh.

Qeveria shqiptare mbështet plotësisht autoritetet dhe popullin e Kosovës, KFOR-in dhe autoritetet ndërkombëtare në Kosovë, për vendosmërinë e tyre për garantimin e rendit kushtetues dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës dhe vendosjen në kontroll të plotë në përputhje me ligjet dhe kushtetutën e vendit të të gjitha vendkalimeve kufitare të kësaj Republike, thuhet në reagimin e Qeverisë së Berishës.

“Ne jemi të bindur se çdo përpjekje për dhunim të integritetit, territorit dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës do të marrë përgjigjen e merituar. Qeveria shqiptare, ndonëse është për lëvizjen e lirë të mallrave, njerëzve dhe ideve dhe kundër çdo lloj embargoje, mbështet plotësisht vendimin e qeverisë së Kosovës, bazuar në parimin e reciprocitetit, për ndalimin e hyrjes se mallrave serbe në Kosovë, si vendim tërësisht i imponuar nga embargoja disa vjeçare serbe për mallrat e Kosovës”, thuhet në kumtesë.

Berisha është shprehur i vendosur që t’i jap Kosovës të gjitha lehtësirat portuale dhe të tjera, për të përballuar embargon e Serbisë ndaj saj, me pasoja sa më të vogla.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›