E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qahen për bukë

Serbët e Veriut ankohen se nuk kanë çfarë të hanë, pasi që mallrat nga Serbia nuk po lejohen të hyjnë në Kosovë. Ata nuk duan të blejnë produkte kosovare në dyqanet e shqiptarëve. Serbia po humb një milion euro në ditë nga vendosja e masave të reciprocitetit. Nga Express më 01 gusht 2011 në ora 08:12

Nëse shqiptarëve të Kosovës u është dashur ndërhyrja e Njësisë Speciale e Policisë në pikat kufitare në veri të vendit që të kuptojnë se duhet qenë pak nacionalistë e të konsumojnë produkte vendore, serbët lokalë duket se këtë ndjenjë e kanë pasur gjithherë. Këto ditë, kur prodhimet nga Serbia nuk po lejohen në hyjnë në Kosovë, ata po ankohen se nuk po kanë çfarë të hanë, ndërkohë që nuk duan të blejnë në dyqanet e shqiptarëve.

As bukë e as qumësht nga Rashka nuk ka mbërritur të dielën në Leshak, Leposaviq e veri të Mitrovicës, ashtu sikurse edhe dy ditët e mëparshme, për shkak të bllokimit të mallrave nga Serbia. Qytetarët serbë duan produkte të “Imlekut“ dhe as që mund të paramendojnë se duhet blerë në dyqanet e shqiptarëve produkte të Kosovës. Një serb i Mitrovicës ka qenë i ashpër në një prononcim për B92.

“Po detyrohemi të blejmë ushqime te shqiptarët”, ka thënë ai, duke e përdorur i nervozuar emrin “shiptari“. Gojko Milivojevic nga Zveçani ka thënë për gazetën “Press“ se askush në veri nuk e ka pritur një gjendje të tillë dhe për këtë shkak, tregtarët nuk kanë grumbulluar mallra rezervë.“Bukë, në sasi të vogla, tash po gatuajnë vetëm furrtarët lokalë“, ka theksuar ai.

Mediat serbe kanë bërë të ditur të dielën se qytetarët po blejnë më të madhe miellin që po e gjejnë në shitje, ndërkaq në pompat e benzinës duhet pritur në radhë. Ndërkohë, mungesa e ilaçeve ka nisur të ndihet në spitalin në veri të Mitrovicës. Drejtori i kësaj qendre mjekësore, Milan Jakovljevic, ka thënë se nëse komandanti i KFOR-it nuk i hap pikat kufitare për mallrat nga Serbia, jeta e qytetarëve do të rrezikohet.

“Janë duke u harxhuar edhe ushqimet e fundit për pacientët, nuk ka mbetur as ujë që shërben për sterilizimin e instrumenteve për operacione”, ka thënë Jakovlevic në një konferencë për gazetarë.

Sipas tij, probleme të shumta ka edhe me transportimin e të sëmurëve nga kjo qendër në qytete të Serbisë. Por, në deklarimin fundit, Komandanti i KFOR-it, Erhard Buhler, ka deklaruar se nuk është punë e tij që të merret me mallra, pasi atij i intereson vetëm situata e sigurisë.

Pavarësisht se në tregun vendor ka mallra me bollëk, serbët lokalë nuk duan të konsumojnë prodhime të Kosovës. Kështu, duket i çuditshëm edhe deklarimi i ministrit të Brendshëm, Bajram Rexhepi, se Qeveria e Kosovës është e gatshme të dërgojë ndihma në veri të vendit, në rast se atje paraqitet mungesa e tyre.

Rexhepi ka thënë se Qeveria e Kosovës ka për obligim që të kujdeset për popullatën e saj, pa marrë parasysh kush janë ata dhe nëse paraqitet nevoja, ata janë shumë të gatshëm që të ndërhyjmë me gjëra ushqimore për popullatën në veri. Por, ai ka pranuar se ndërhyrja e Qeverisë me gjëra ushqimore nuk do të jetë e lehtë, për shkak të grupeve ekstremiste serbe. “Ne si institucione, pavarësisht kësaj, duhet të jemi të përgjegjshëm për popullatën”, është shprehur ai.

Për bllokimin e mallrave të Serbisë nuk janë duke u ankuar vetëm serbët në veri. Mungesa e tregut të Kosovës ka nisur të ketë pasoja në Beograd. Sipas zyrtarëve të lartë të Qeverisë së Serbisë, brenda ditës, buxheti i Serbisë humb 1 milion euro çdo ditë, shkaku i bllokimit të mallrave. Edhe pse ata nuk duan të llogarisin humbjet që buxheti i Kosovës ka pasur këto tri vjet nga bllokimi i mallrave kosovare, Nebojsa Ciric, ministër i Ekonomisë dhe Zhvillimit Rajonal në Serbi, ka deklaruar se brenda vitit, shteti i tyre ka fituar rreth 350 milionë euro nga Kosova. Për këtë arsye, tash autoritetet në Beograd dhe biznesmenët po bëjnë ç’është e mundur për të gjetur mënyra që mallrat e tyre të futen sërish në Kosovë.

Sipas ministrit serb, përfaqësuesit e UNMIK-ut kanë propozuar që çështja e vulave të Doganave të Kosovës të zgjidhet në kuadër të marrëveshjes së CEFTA-s e jo në bisedimet Beograd-Prishtinë. Beogradi po shqyrton këtë propozim, por tash për tash ky problem mbetet në hije të zhvillimeve të tjera në Kosovë. Sido që të jetë, mediat serbe kanë njoftuar se një sasi prodhimesh serbe ka hyrë në Kosovë të dielën përmes ”rrugëve alternative”.

Ndërkohë, të dielën në Podujevë janë djegur produkte serbe, si dhe flamuri i këtij shteti.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›