E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rojet e mjegullës

Barrikadave me rërë e dru, serbët e Veriut të dielën ua shtuan edhe pankartat dhe fotografitë e Vladimir Putinit. Ata thanë se në këtë mënyrë po e ruajnë Rezolutën 1244 dhe sovranitetin e shtetit serb. KFOR’i hapi për qarkullim pikën kufitare në Brnjak, por jo edhe rrugët në Rudare e Zupç Nga Lirita Halili më 01 gusht 2011 në ora 08:55

Serbët e Veriut janë të bindur se me bllokimet e rrugëve po e ruajnë Rezolutën 1244 dhe sovranitetin e shtetit serb. Të dielën, barrikadave me rërë e dru ata ua kanë shtuar edhe pankartat dhe fotografitë e Vladimir Putinit. Por, kanë pasur edhe një thirrje për udhëheqësit e Serbisë.

Kryetari i Komunës paralele të Zubin Potokut, Slavisha Ristic, ka ftuar deputetët e Kuvendit të Serbisë, presidentin e kryeministrin, ministra e kryetarë partish politike që të vijnë tek barrikadat.

"Këtu nuk është duke u udhëhequr luftë ndërpartiake dhe nuk ka politikë, por po udhëhiqet luftë për sovranitetin e shtetit të Serbisë”, ka thënë ai. Ristic ka porositur serbët e grumbulluar që assesi të mos heqin dorë nga bllokimi i rrugëve.

"Nëse këtu lëshojmë pe dhe lejojmë që KFOR-i dhe institucionet e Kosovës të instalojnë doganat dhe policinë shqiptare në pikat kufitare, kam frikë se do të humbim mundësinë të mbrojmë këtë rezolutë", ka thënë ai. Por, Doganat dhe Policia kanë qenë edhe të dielën në kufi.

Madje, zëdhënësja Sabrie Kamberi ka thënë se zyrtarët policorë të Policisë Kufitare dhe doganierët vazhdojnë të qëndrojnë në të dyja pikat kufitare, në Jarinje e Brnjak. Ndërkohë, KFOR-i ka ndërmarrë dy veprime në Veri.

Rreth orës 18:30 e ka hapur pikën kufitare në Brnjak, pas qëndrimit atje të komandantit Erhard Buhler. Veturat civile dhe autobusët janë lejuar të qarkullojnë sërish, por jo edhe kamionët dhe automjetet tjera me mallra serbe.

Ndërkaq, kontrollet po kryhen nga paqeruajtësit francezë e marokenë dhe policët e Kosovës. Kjo pikë kufitare u hap vetëm pak kohë pasi që shefi i ekipit negociator të Serbisë, Borislav Stefanovic dhe ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanovic u nisën drejt Kosovës.

Mediat beogradase kanë raportuar gjatë gjithë ditës se ata do të arrestoheshin nëse hyjnë në Kosovë. Zëdhënësi i KFOR-it, Hans Dieter Wichter ka thënë se pika në Brnjak është hapur pasi që situata e sigurisë në Zubin Potok është përmirësuar.

Ai nuk ka dashur të komentojë ardhjen në Kosovë të Stefanovicit e Bogdanovicit. I pyetur për vazhdimin e bisedimeve ndërmjet zyrtarëve të Qeverisë së Serbisë dhe komandantit Erhard Buhler, Wichter ka thënë se nuk bëhet fjalë për kurrfarë bisedimesh, sepse gjenerali gjerman nuk është politikan, e bisedimet i bëjnë politikanët. Sipas tij, Buhler ka biseduar me Stefanovicin me qëllim të uljes së tensioneve. Por, Wichter nuk ka dashur të flasë nëse KFOR’i do t’i heq barrikadat e vendosura nga serbët.

E një veprim tjetër i KFOR-it ka qenë largimi i bllokadës rrugore në rrugën sekondare në zonën e Zubin Potokut, gjatë mëngjesit. “Ky aksion është kryer në koordinim të afërt me EUEX-in dhe kaloi pa kurrfarë pengimi”, ka njoftuar KFOR-i. E në fshatin Jagnjenicë, në rrugën që lidh Zvecanin dhe Zubin Potokun, KFOR’i dhe Policia e EULEX’it kanë vendosur një postbllok. Mediat serbe kanë raportuar se ushtarët dhe policët ndërkombëtarë kanë kryer kontrolle të rrepta të secilit automjet dhe kalimtar.

“Politikë gandiste”
Serbët janë mbledhur për të pestën ditë me radhë në protesta, madje te punkti i KFOR-it, afër Jarinjes, ata kanë luajtur edhe futboll. Një përfaqësuese e grave të Leposaviqit iu ka ofruar ushtarëve amerikanë bukë e ujë. Qytetarët serbë kanë thënë se do të vazhdojnë së protestuari, duke bllokuar rrugët, derisa gjendja të kthehet siç ishte para ndërhyrjes së Policisë së Kosovës në Veri. Ata kanë kërkuar që menjëherë të jetësohet deklarata për Kosovën, e aprovuar në Kuvendin e Serbisë.

Zvezdan Jevremovic ka thënë për Tanjug se duhet gjetur ndonjë zgjidhje. “Apeloj që gjithçka të kthehet qysh ka qenë para kësaj krize dhe për shkak të saj, të mos qajnë as nënat serbe, as ato shqiptare”, është shprehur ai. Ndërkaq një i ri, Marko Jaksic, është shprehur se në këtë mënyrë ata do të vazhdojnë t’iu kundërvihen qëllimeve të Prishtinës. “Kemi zgjedhur ‘mënyrën gandiste të luftës’. Të qetë, të ulur dhe në mënyrë paqësore po iu tregojmë të gjithëve dëshirën për të mbetur në këto hapësira”, ka theksuar ai.

Kryetari i Komunës paralele të Zubin Potokut, Slavisha Ristic ka thënë se situata në këtë komunë është e qetë, por e tensionuar dhe qytetarët janë në gjendje paniku. “Popullata nuk është duke u frikuar nga forca. Ne jemi duke protestuar në mënyrë të qetë”. Sipas tij, serbët do të rezistojnë qetësisht dhe në këtë mënyrë të arrijnë qëllimin e tyre që në pikat kufitare të mos ketë doganë shqiptare dhe policë kufitarë.

Kryeshefi i të ashtuquajturit Qark i Mitrovicës, Radenko Nedelkovic ka ftuar qytetarët në bashkim, masovitet dhe unitet dhe ka porositur komandantin e KFOR-it dhe Prishtinën se nuk munden me forcë të integrojnë veriun. Ndërkaq, sekretari shtetëror për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanovic, ka thënë se Serbia nuk guxon të lejojë assesi që veriu i Kosovës të “bjerë”.

Rexhepi: Gati për dialog
Ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi ka thënë se ardhja e Robert Cooperit në Prishtinë e Beograd do të duhej të përshpejtojë vazhdimin e dialogut ndërmjet Prishtinës e Beogradit, duke mos pritur shtatorin. Në një intervistë për Tanjug, Rexhepi është shprehur se pala kosovare është e gatshme që qysh nesër ta vazhdojë dialogun me Beogradin në Bruksel, por vetëm brenda kornizave të përcaktuara qysh më parë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›