Bashkëbisedimin me zgjedhësit, Berisha e nis me prezantimin e autostradës që do lidhë Elbasanin me Tiranën
Kryeministri Sali Berisha ka nisur serinë e tij të takimeve me qytetarët, duke u ndalur fillimisht në qytetin e Elbasanit, për të prezantuar projektin më të rëndësishëm të mandatit, atë të autostradës Tiranë-Elbasan. Përpara qindra e mijëra qytetarëve të pranishëm, shefi i ekzekutivit, deklaroi se autostrada e cila në pjesën më të madhe do të përshkohet nga një tunel disa kilometra i gjatë, është pjesë e rëndësishme e Boshtit të Jugut dhe ka një kontribut të jashtëzakonshëm ekonomik, jo vetëm për Tiranën dhe Elbasanin, por për të gjithë Shqipërinë.
“Projekti i ri për rrugën që parashikon të shkurtojë dukshëm distancën me kryeqytetin do të jetë më madhori për këtë 4 vjeçar. Por, realisht është i kushtueshëm. Autostrada do të jetë një vepër e kushtueshme, ndoshta më e kushtueshmja në vend, por që do të shndërrohet në një faktor madhor zhvillimi, duke krijuar një treg unik, të gjithanshëm dhe të përbashkët me Kryeqytetin. Kjo autostradë realizon një ëndërr të qytetarëve elbasanas për të ardhur në Tiranë për 18 minuta. Por, kostoja nuk do të jetë gjë përballë fitimeve që do të ketë Elbasani. Mendojmë se rruga do të fuqizojë ekonomikisht Elbasanin, pasi infrastruktura është fuqia e ndryshimit”, u shpreh kryeministri Berisha në fjalën e tij, para qytetarëve të Elbasanit, duke shtuar njëherazi se “kjo rrugë, pjesë e boshtit të jugut e shndërron Elbasanin në pjesë integrale me metropolin”.
Në këtë aspekt, kryeministri informoi se ka përfunduar edhe projekti i Boshtit të Jugut, pavarësisht kostos së jashtëzakonshme, mbetet e rëndësishme për vendin dhe zhvillimin ekonomik. Kryeministri tha se qeveria do të punojë pa pushim, për të shkurtuar sa më shumë distancat dhe qytetet të jenë gjithmonë edhe më pranë, nëpërmjet autostradave.
“Shumë shpjet, në një hark kohor shumë të shkurtër, ne do të shkojnë në Berat. Kam kënaqësinë t’ju informoj se kemi përfunduar edhe projektin e Boshtit të Jugut, Berat-Tepelenë, 40 kilometra, gjysmë ore nga Memaliaj në Berat. Një projekt ky tmerrësisht i kushtueshëm, me dy tunele, me ura po kaq problematike. Pra, në kompleks Boshti i Jugut, segmenti i parë i të cilit është autostrada Tiranë-Elbasan, ka një kosto shumë të lartë, më të lartë ndoshta, sesa autostrada Tiranë-Morinë, por është e domosdoshme, sepse nuk mundet që shqiptarët të shkojmë më shpejt nga Tirana në Prishtinë, sesa nga Tirana në Sarandë. Ne duhet t’i shkurtojmë distancat dhe vendi të mblidhet. Ne jemi vend malor dhe kjo e tëra kalon nëpër tunele. Nuk mund të ndërtosh rrugë të shkurtra në Shqipëri, nëse nuk ndërton tunele. Ndaj dhe ne do ecim me tunele, ndonëse janë shumë të kushtueshëm dhe mund t’u them se, për fat të keq, edhe gjeologjia e shkëmbinjve tanë është jo aq e përshtatshme për tunele. Por ne nuk tërhiqemi, do të ndërtojmë tunele sigurisht këtu në Qafë Kërrabë, në malet midis Beratit dhe Tepelenës, në Kardhiq, në Qafë Plloçë, në Qafë të Murrizit dhe kudo. Natyrisht çmimet janë të kripura, por këtë ne e bëjmë, sepse, absolutisht, nuk ka asgjë më të çmuar dhe me asgjë nuk mund të vlerësohet koha e qytetarëve shqiptarë. Ajo është më e çmuara”, tha Berisha.
Më pas kryeministri shtoi se në 4 vjet qeverisje të të së djathtës, Shqipëria do ketë rrjetin rrugor më modern, pasi ekonomia shqiptare mund ta përballojë këtë.
“Me asgjë nuk mund të zhvillohet më shpejt një vend, sesa me një rrjet rrugor modern. Fuqia e Romës qëndronte tek rrugët e saj, këtë e mëson historia. Fuqia e zhvillimit të një vendi përcaktohet më shumë, se nga çdo gjë tjetër, nga rrjeti rrugor i tij. Në katër vjet, ne do të bëjmë që Shqipëria të ketë rrjetin rrugor më modern në Ballkan dhe ndër më modernet në Europë. Ekonomia nuk iu përkul krizës, ne i kemi rritur të ardhurat dhe do rrisim pagat në të ardhmen. Kemi investuar në 2 vite plot 18% të GDP”, theksoi Berisha. Në takimin në Elbasan, kryeministri Berisha u shoqërua nga ministrat Lulzim Basha e Sokol Olldashi.
Kreu i qeverisë kreu takime edhe me autoritete vendore të Elbasanit dhe me qytetarë. Projekti parashikon që autostrada Tiranë-Elbasan të jetë e gjatë 31.17 kilometra, me 4 korsi, 7 mbikalime dhe 3 nënkalime. Për ndërtimin e tij është zgjedhur trajektorja më e shkurtër, Tiranë- Lundër- Mullet.