Ligjet, mazhoranca: Drafti i PS-së anti kushtetuese, të riformulohet dhe të paraqiten vendimet e Gjykatës Kushtetuese

Komisioni i Ligjeve vendosi të diskutojë nen për nen në fillim të javës së ardhshme, për dy nismat e paraqitura nga Partia Socialiste
Mazhoranca i kërkon opozitës në komisionin parlamentar të ligjeve, të rishikojë formulimin e draftit të depozituar në kuvend, pasi shkelet kushtetuta dhe nuk paraqiten vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Në punimet e sotme këto nisma janë shoqëruar me debate nga deputetët e mazhorancës dhe ata opozitarë.
Deputeti i PD, Eduard Halimi duke shprehur qëndrimin e mazhorances deklaroi se “në tërësi draftet e paraqitura nga PS janë antikushtetuese dhe kërkoi riformulimin e tyre”.
Sipas demokratëve në komision nismat shkelin parimet kushtetuese dhe në to nuk janë paraqitur vendimet e gjykatës kushtetuese.
”Jemi ‘pro’zgjidhjes së krizës, por për një zgjidhje kushtetuese. Kuvendi, nuk mund të hetojë mbi vendimet e gjykatave. Hetimi, objekti dhe mjetet e hetimit duhet të jenë të kufizuara”, u shpreh deputeti demokrat, Eduard Halimi.
Nga ana tjeter deputetja e PS, Vasilika Hysi ka deklaruar se “mazhoranca po tregohet hapur kundër nismave ligjore te PS dhe po kufizon te drejten e opozites per te hetuar zgjedhjet”.
Edhe deputeti i LSI, Nasip Naco duke mbrojtur qëndrimin e mazhorances eshte shprehur se duhet te respektohen parimet kushtetuese dhe direktivat e OSBE.
Pas me shume se nje ore debatesh, Komisioni i Ligjeve përfundoi mbledhjen duke vendosur që nga e hëna të nisë sërish me diskutimet, por këtë radhë nismat do të diskutohen nen për nen.
Në fund të mbledhjes Komisioni i Ligjeve vendosi të diskutojë sërish në fillim të javës së ardhshme për dy nismat e paraqitura nga Partia Socialiste.
Projektligji i Partisë Socialiste parashikon që në parim, zgjedhjet parlamentare të hetohen deri në 6 muaj nga shpallja përfundimtare e rezultatit, por përsa i përket zgjedhjeve të 28 qershorit, ku ky afat ka kaluar, ata parashikojnë efekt prapaveprues të ligjit.