E Diel, 1 Nëntor 2026

“Qeveria do kthejë tepricën e taksave në buxhetin e familjeve të varfra”

Deklaron kryeministri Sali Berisha në Kuvend

Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje gjatë seancës plenare, se qeveria ka gati një projekt konkret për çrrënjosjen e varfërisë në vend. Berisha u shpreh para deputetëve të pranishëm në Kuvend se qeveria do t’i kthejë tepricën e taksave të paguara nga familje të varfra dhe që padrejtësisht i paguajnë taksë buxhetit të shtetit.
Berisha duke e cilësuar këtë nismë si një detyrim që qeveria ua ka shqiptarëve theksoi se pas evidentimit të të ardhurave të gjithë secilit qeveria do të detyrohet të paguajë dhe t’ua kthejë në buxhetin e tyre tepricën e taksave në raport me të ardhurat.
Ai theksoi gjithashtu se ky dokument të ri është një standard europian i domosdoshëm që synon të shmangë barazinë mes të pabarabartëve që thellon varfërinë.
Kreu i qeverisë vuri në dukje më tej, se qeveria po përgatitet edhe për një sistem të ri të reformës ekonomike, për të çrrënjosur përfundimisht varfërinë.
“Po përgatitemi për regjistrin elektronik të të gjitha familjeve në varfëri dhe varfëri ekstreme. Përfundimi i digjitalizimit, do na japë një tablo të plotë për të gjitha familjet që jetojnë me më pak se 2 dollar në ditë”, deklaroi Berisha.
Ndërkohë shefi i qeverise ritheksoi se qeveria ka vendosur të njoh letrat me vlerë si të vlefshme ndonëse për kaq vite ato mbetën jashtë përdorimit.
Sipas tij, vlera e tyre arrin në 820 milionë dollarë dhe theksoi se tregu i hapur për to është një nga më të fuqishmet edhe disa herë më i madh sesa i paracaktuar për to.
Berisha gjithashtu theksoi se me vënien në përdorimin të letrave me vlerë do të përfitojnë si poseduesit, por edhe ata që do të blejnë këto letra.
“Në këtë mënyrë, të parët që përfitojnë janë qytetarët posedues të këtyre kartave dhe ata që do të blejnë me këto letra. Ju bëj një thirrje miqësore, drejtuar qytetarëve që i disponojnë ato, Ministria e Financave do të marrë masat për ato që ndodhen të grumbulluara, për rishpërndarjen tek të zotërinjtë që i takojnë”, deklaroi Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›