E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abetarja si themel i së ardhmes

NDRIÇIM KULLA

Aventura e shpirtit në historinë shumëshekullore të Shqipërisë, shkruajnë studiuesit, pavarësisht se shumë pushtues e kanë shkelur këtë vend, pavarësisht shumë qëllimeve historike të fqinjëve, konkretizuar në doktrina e strategji, mite, sulme e në kohë të caktuara edhe në gjenocide, ka përfunduar gjithmonë me fitoren e shpirtit të kombit shqiptar. Dhe ajo pjesa më e vërtetë, më e qëndrueshme, më e bukur dhe më e paepur e tij është identifikuar te gjuha. Ka qenë ajo që dhe në ditët më të errëta të robërisë mbarti mbi vete barrën e aspiratave të lirisë, qenësisë, etnicitetit të kulturës sonë, për ti pararendur ato të pacenuara deri në ditën e shenjtë të pavarësisë shqiptare. Ndaj, në këtë qindvjetor të kësaj lirie, gjuha shqipe, ky shpirt i kombit, gjeti mishërim në ëndrrën e bërë realitet të dy kryeministrave të shtetit shqiptar në këtë përvjetor, Berishës dhe Thaçit, për tu trupëzuar në Abetaren e përbashkët të gjuhës sonë, një lajmëtare sa fisnike, aq edhe largpamëse, sa bashkuese, aq edhe larg-rrugëtuese e gjithë frymës së bashkimit dhe integrimit që domosdoshmëria jonë historike arrin të na identifikojë në këto momente. Lexova jo pa kureshtje edhe reagimet e fqinjëve, etiketime shumë të tepruara në nivele të tilla lajmëtarësh, siç mund të jetë një abetare, një gjuhë, një kulturë. Megjithatë, raporti i qasjeve të dy kombësive ndaj një çështjeje duket më qartë dhe më hapur, veçanërisht kur bëhet fjalë për vlera kulturore, siç ishte rasti i Abetares së përbashkët, kësisoj ky reagim ia shton akoma dhe më shumë fisnikërinë dhe dinjitetin nismës së Ministrisë sonë të Arsimit dhe grupit të përbashkët realizues të projektit. Një nismë kjo që për nga përmasa dhe madhështia mori falënderime, le të themi konsensuale, edhe nga lideri i opozitës, z. Edi Rama, duke dhënë një shembull të mirë se veprat e çmueshme si kanë të pamundura bashkëvlerësimet. Aventura e shpirtit, thamë në fillim, se të kësaj forme kanë qenë peripecitë nëpër të cilat kaloi mësimi i gjuhës shqipe në të gjitha trevat ku flitet shqip deri në Ditën e Pavarësisë. Veçse një term i tillë tashmë duket qartë se i përket së shkuarës. E ardhmja e konkretizimit të kulturës së përbashkët nisi me këmbë të mbarë nën shenjën e një projekti, platforme apo misioni të mirëmenduar dhe të mirëstrukturuar nga ana e Ministrisë së Arsimit, që si ngjan e sduhet ti ngjajë kurrë një rrugëtimi të hallakatur e plot barriera, ashtu siç ajo ka dëftuar me hapat e ndërmarrë gjatë këtyre viteve. Abetarja, edhe pse në vetvete mund të kurorëzojë një punë të vështirë të një stafi apo dikastereve të përbashkëta të simotrave të Shqipërisë dhe Kosovës, është vetëm pikënisja e ndërtimit të sistemi të tërë arsimor të përbashkët mes dy vendeve. Vështirësitë objektive, strukturore apo kurrikulore të dy sistemeve qëndrojnë, do të marrin kohë e debate ekspertësh, por e rëndësishmja është se u mishërua, përveç Abetares, edhe një proces bashkëpunimi, një mënyrë pune që sngre më barriera, qoftë edhe psikologjike. Ajo çka duhet të kalitet në vijim është guximi dhe qëndresa intelektuale, kthjelltësia dhe durimi administror që kjo skemë e përbashkët bashkëpunimi të funksionojë. Qasja e drejtë e dy faktorëve politikë qeverisës ndaj problemit, vullneti i përbashkët që ata shfaqën, duket se është një ogur i mirë që projekti i madh i integrimit sapo ka filluar. Kur flasim për integrim, edhe pse nuk promovohet apo diskutohet në këtë dimension, duhet kuptuar se kemi të bëjmë me një proces të dyfishtë, që nuk mund të japë frytet e kërkuara nëse nuk zhvillohet paralelisht. Është ai proces i integrimit, le të themi të jashtëm, në kulturën dhe komunitetin e Europës e Perëndimit. Por, nga ana tjetër, një dimension i tillë është njëherësh edhe i karakterizuar nga një integrim i brendshëm, parësisht ekonomik e financiar, por më lehtësisht i arritshëm falë ngjitjes shkallë-shkallë të integrimit tonë kulturor, me dy planet e saj të mëdha gjuhësoro-kulturore dhe sistemeve arsimoro-kurrikulare.
Vullneti politik dhe ministerior i arsimit (ashtu si ndodhi me punët e tjera të mira të Maturës Shtetërore si dhe përhapjes së internetit në çdo shkollë) që trupëzoi kjo Abetare, duket se e ka rrokur mirë edhe këtë vizion, ndaj do të qe e udhës që të gjithë agjentët e tjerë kulturëformues, në të dyja vendet, në të të dyja qeveritë, e pse jo edhe në të dyja shoqëritë në tërësi (në strukturat e biznesit dhe shoqërisë civile) duhet ta ndihmojnë përshkallëzimin e kësaj nisme. Ndoshta në këtë fazë të parë, qarkullimi i teksteve dhe librave të leximit të jashtëm, në mbështetje të sistemit arsimor, në pritje të kristalizimit të kurrikulave dhe teksteve të tjera të përbashkëta, do të qe udha më e mirë për të lëruar atë tokë të gjuhës dhe dijes së përbashkët ku ushqehen nxënësit dhe mësuesit e sistemeve të arsimit të të dyja vendeve, në mënyrë që ajo të bëhet sa më shpejt pjellore dhe e gatshme të presë farat e mbjella nga tekstet e përbashkëta. Në këtë drejtim, nisur deri diku nga praktika e vlertë e financimit të deritanishëm që qeveria jonë i ka bërë librit jashtëshkollor, ideja e projektit mund të shtrihet në realizimin e një projekti madhor të përbashkët për përzgjedhjen e dërgimin në bibliotekat e shkollave të arsimit bazë dhe të mesëm, të teksteve me klasikë të letërsisë dhe mendimit të traditës shqip, por sidomos të projekteve të ardhshme që lidhen me sfidat e edukimit europian. Në këtë nismë, natyrshëm që mund të përfshihet edhe biznesi, por e rëndësishme është që të rrënjoset fryma e bashkëpunimit midis strukturave të dy vendeve në kapërcimin e barrierave objektive juridike apo administrative. Aq më tepër që një iniciativë e tillë do të qe vetëm pikënisja e asaj fryme të kultivimit të historisë së përbashkët të letërsisë, gjuhës, kulturës, historisë e gjeografisë, nëpërmjet mbartësit të përjetshëm e unik të të gjitha këtyre vlerave, librit. Qarkullimit të ideve, informacioneve dhe dijeve që po gëlon gjithnjë e më shumë mes trevave ku flitet shqip, duhet ti përgjigjet edhe qarkullimi i strukturuar, efikas dhe i lehtë-përçueshëm i mjeteve dhe formave të komunikimit. Në këtë prizëm, ndërtimi i proceseve dhe strukturave të qëndrueshme të komunikimit do të qe shumë më solid sesa çdo ndërmarrje tjetër. E kur bazat janë të forta, të kultivuara me farë të mirëprovuar për qëndresën e saj në shekuj (siç është libri), edhe ngrehinat, të çfarëdolloji qofshin, nuk mund të mos lartohen të bukura e të rezistueshme ndaj të gjitha furtunave të fatit e kanosjes së historisë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›