Biznesi në krizë, bien me 18 % të ardhurat nga tatim-fitimi

Drejtori i Pergjithshem i Tatimeve, Gazmir Spahija
Emirjon Senja
Të ardhurat në buxhetin e shtetit po realizohen me ritme të ngadalta duke detyruar qeverinë që të ulë investimet në infrastrukturë me qëllim mbajtjen nën kontroll të deficitit buxhetor. Treguesit fiskal të publikuara nga Ministria e Financave pasqyrojnë një rritje me 2.5 për qind të të ardhurave në buxhet deri në fund të prillit krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Përballë kësaj situate, qeveria ka ulur në maksimum shpenzimet kapitale duke realizuar 30 për qind më pak gjatë muajit të shkuar.
Referuar të dhënave zyrtare, buxheti i shtetit ka mbledhur rreth 106.2 miliardë lekë gjithsej deri në fund të muajit prill. Kjo shifër është 2.6 miliardë lekë apo rreth 2.5 për qind më shumë krahasuar me prillin e vitit 2011. Treguesi më problematik të jetë ai i të ardhurave nga Tatimi mbi Fitimin duke pasqyruar kështu krizën që ka kapur biznesin. Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin kanë qenë në ulje të paktën gjatë këtyre dy muajve të fundit (shkurt-mars), gjë e cila paraqet një aktivitet në rënie të biznesit në vend. Nëse do të paraqitej në shifra, gjendja paraqitet e tillë: Nëse deri në fund të prillit 2011, qeveria kishte mbledhur rreth 7.7 miliardë lekë të ardhura nga tatimi mbi fitimin, përgjatë të njëjtës periudhë të këtij viti u arrit të mblidhen rreth 6.3 miliardë lekë. Ashtu, siç paraqesin edhe shifrat, të ardhurat e realizuara nga Tatimi mbi Fitimin gjatë periudhës janar-prill 2012 janë rreth 18 për qind më të ulta krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ulja e të ardhurave nga tatim-fitimi pasqyron edhe atë çka ka ndodhur edhe më realizimin e të ardhurave nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, i cili konsiderohet nga ekspertët një tregues i drejtpërdrejtë të konsumit. Të ardhurat nga TVSH-ja paraqiten me një rritje me 500 milionë lekë krahasuar me periudhën janar-prill 2011 ose vetëm 1.5 për qind më shumë.
Për sa i përket Tatimit mbi të Ardhurat Personale dhe akcizës, raportohet se ato paraqiten në të njëjtët tregues si një vit më parë duke pasqyruar kështu mos rritje të punësimit nga njëra anë, por edhe konsum të njëjtë të karburanteve, pijeve alkoolike etj.
Qeveria ka ulur ritmin e shpenzimeve, ndryshe nga dy muajt e parë të vitit, me qëllim mbajtjen nën kontroll të deficitit buxhetor. Ky i fundit paraqitet në 11.4 miliardë lekë ose rreth 28 për qind më i ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Qeveria shkurtoi investimet me 30 %
Tregues më kuptimplotë është ai i shpenzimeve ku duket se qeveria e ka shtrënguar mirë rripin gjatë muajit prill. Shpenzimet kanë ulur me 1.5 për qind gjatë katër muajve të parë të këtij viti, por pjesa që është prekur më shumë nga shkurtimi i shpenzimeve janë investimet. Tabelat tregojnë se investimet janë shkurtuar me 30 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, çka do të thotë se gjatë janar-prillit 2012 janë ndërtuar më pak rrugë, kanalizime etj., se sa janar-prilli i vitit të kaluar.