E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkëpunëtore me Spielbergun

Nuk është një prilli. Por, është e vërtetë se aktorja e re kosovare, Mirlinda Bajralia ka filluar një projekt me regjisorin Steve Spielberg si dhe është duke bashkëpunuar me producentë të Warner Brothers. Për detajet të tjera flet vetë Mirlinda...

Rozë: Keni folur për disa projekte tuajat në Hollywood, për çfarë bëhet fjalë?
Mirlinda: Bëhet fjalë për një film që quhet “Killer” dhe i përket zhanrit horror. Skenarin e këtij filmi e kemi punuar me regjisorin/skenaristin e talentuar Kenny Golde dhe filmin me këtë skenar do ta bëjnë producentët e Stiven Spielberg nga Warner Bros, të cilët edhe e kanë blerë këtë projekt.

Rozë: Cilët janë bashkëpunëtorët në këto projekte?
Mirlinda: Në këtë projekt bashkëpunëtor kryesor është Kenny Golde, me të cilin e kemi shkruar skenarin. Po ashtu bashkëpunëtorë në këtë projëkt janë edhe producentët e Warner Brothers.

Rozë: Po me Stiven Spielberg keni bashkëpunim?
Mirlinda: Pasi producentët e tij e kanë blerë projektin tonë, filmin Killer, tani aty do ketë bashkëpunim edhe me të. Por, duhet theksuar se jemi ende në fillim të këtij bashkëpunimi.

Rozë: Si lindi ky bashkëpunim?
Mirlinda: Bashkëpunimi me Stiven Spielberg, përmes producentëve të tij, ka lindur nga ideja e shkrimtarit/skenaristit Kenny Golde, i cili deshi të provojë edhe njëherë. Ne e dërguam skenarin dhe pasi e bëmë këtë, atyre, pra Warner Bros, u pëlqeu skenari dhe e blenë. Për ne është fat, ngase një kompani si Warner Bros së pari ka pasur kohë ta lexojë skenarin tonë, pastaj edhe e kanë vlerësuar.

Rozë: E dimë që është vështirë të depërtosh në Hollywood, nga kush keni ndihmë në këtë drejtim?
Mirlinda: Ata të cilët më kanë ndihmuar vazhdimisht dhe ende më përkrahin janë Mariane Belushi, Kenny Golde, Robert Peters etj.

Rozë: Kur pritet ndonjë realizim konkret projekti (ndonjë film)?
Mirlinda: Dëshira ime është sa më shpejt, por ne jemi duke punuar në këtë film. Aktualisht janë duke u bërë disa mbledhje në Los Angeles, në të cilat do të caktohet se si do menaxhohet i tërë projekti. Por, këto marrin pak kohë, sepse filmi i tillë është ndryshe nga një realizim televiziv-seri. Ndërkohë, unë, gjatë kësaj pauze kohore sa nuk jam e angazhuar atje, do jem te seriali Kafeneja jonë, e angazhuar në një rol.

Rozë: Të kemi parë të angazhuar edhe në seriale vendore, të duket ky angazhim avancim karriere në krahasim me projektet në Hollywood?
Mirlinda: Si aktore, për mua është kënaqësi të angazhohem kudo që jam. Në Kosovë po angazhohem sipas kohës së lirë, pra kurdo që kam kohë. Por, dua të them që është kënaqësi, sepse këtu është vendlindja ime.

Rozë: Tani keni një rol të ri, do na flisni pak për të?
Mirlinda: Po, luaj rolin e një vajze simpatike e cila quhet Xhina dhe është artiste. I do kafshët, ka një jetë të programuar dhe është parimore. Për më tepër shikojeni…

Rozë: Keni bashkëpunuar më regjisorë të huaj dhe shqiptarë, mund të na bëni një krahasim mes mënyrës si punojnë?
Mirlinda: Shumë regjisorë amerikanë me të cilët kam bashkëpunuar kanë qenë aktorë. Më pastaj, duke mbledhur një bagazh përvojash në këtë lëmi, kanë bërë dhe shkollë për regjisorë. Duhet theksuar se punojnë tepër shumë. Unë ndihem e privilegjuar të kem mundësinë të punoj edhe me regjisorë shqiptarë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›