Blendi Gonxhe kundër bashkisë: Sheshi duhej pas unazave
Reagimi vjen pas fillimit të punimeve në sheshin Skënderbej
Ish-nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Blendi Gonxhe, konteston punimet e Bashkisë së Tiranës për sheshin Skënderbej. Në një intervistë për një media thotë se duhej një zgjidhje më racionale për qarkullimin e qytetarëve dhe automjeteve para se të zbatohej projekti i bashkisë për sheshin. Sipas Blendi Gonxhes, një projekt i dytë do të ishte aplikimi i modelit që u ndoq për sheshin para Bankës së Shqipërisë. Jam për një afrim më racional për çështjen. Do të kisha zgjedhur një rrugë të mesme dhe racionale për qytetarët për sa kohë nuk ka unaza qyteti, një unazë të dytë apo të tretë, derisa nuk ka dalje alternative për ata që kalojnë përmes qendrës, duhet të zgjidhim një shesh të asfaltuar, të kalueshëm, normal, siç kemi bërë dikur me pjesën para Bankës së Shqipërisë, e cila deri sot nuk ka asnjë gropë, - thotë Gonxhe. Ish-nënkryetari i bashkisë shprehet se përpara se të mendohet për sheshet kryesore dhe ato të kthehen në pronësi të këmbësoreve, ashtu si do të ndodhë për sheshin Skënderbej në radhë të parë duhet të punohet për krijimin e hapësirave të gjelbra, gjë që i mungon prej vitesh kryeqytetit. Unë do të isha dakord me çdo projekt që e bën këtë qytet më të jetueshëm, më të qarkullueshëm, më normal. Do të ishte mirë që ne të nxirrnim para nga buxheti dhe të shpronësonim të gjitha lulishtet e mbetura, të cilat kanë ende sot e kësaj dite pronar dhe ti bënim këto lulishte të jetueshme në shërbim të qytetarëve, pastaj të mendonim për të bërë sheshet pronë të këmbësorëve. Në rast se nuk mbrojmë lulishtet dhe mendojmë për sheshet të cilat sot janë me makina dhe nesër duhet tua kalojmë këmbësorëve, më duket një autogol shumë i rëndë, - thotë Gonxhe. Ndërkohë, në sheshin Skënderbej vazhdojnë punimet, edhe pse deklaratat e Ministrisë së Mjedisit edhe një ditë më parë ishin se bashkia nuk ka leje mjedisi për punimet në shesh.