E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkëpunim bibliotekar

Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi, në fushën e bibliotekarisë, me Bibliotekën Kombëtare të Hungarisë.

Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Bibliotekën Kombëtare të Hungarisë.

Marrëveshja u nënshkrua të hënën në Budapest ndërmjet Sali Bashotës, drejtor i BKUK-së dhe Andrea Sajo, drejtor i BKH-së.

Delegacioni nga Kosova, gjatë qëndrimit në Budapest, fillimisht u prit nga ambasadorja e Republikës së Kosovës Shkëndije Sherifi dhe bashkëpunëtorët e saj, të cilët kontribuuan në realizimin e kësaj marrëveshjeje të bashkëpunimit.

Përmes një komunikate të lëshuar nga BKUK, bëhet e ditur se në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Hungarisë ishte e pranishme edhe Shkëndije Sherifi, ambasadore e Republikës së Kosovës në Budapest, e cila në fjalën e saj përshëndetëse e theksoi rëndësinë e veçantë të kësaj marrëveshjeje në nivelin kulturor, duke theksuar se kjo është marrëveshja e parë që realizohet midis dy institucioneve shtetërore të Kosovës dhe Hungarisë.

“Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Hungarisë Dr. Adrea Sajo, e vlerësoi lart nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit midis dy bibliotekave kombëtare, duke i dëshiruar mirëseardhje sa më të shpejtë BKUK-së në gjirin e asociacioneve më të rëndësishme europiane e më gjerë dhe me këtë rast shprehu gatishmërinë për përkrahje dhe mbështetje të përhershme”, thuhet në komunikatë.

Ndërkaq, drejtori i BKUK-së, Sali Bashota, duke i vlerësuar lidhjet miqësore shqiptaro-hungareze, veçanërisht kontributin e albanologëve hungarezë për gjuhën, kulturën dhe historinë e shqiptarëve, ndër të tjera, tha se kjo marrëveshje do të hapë një dritare të re në fushën e bashkëpunimit midis dy institucioneve më të larta bibliotekare të dy shteteve.

Drejtori i BKUK-së e përmendi faktin se Biblioteka Kombëtare e Hungarisë ka koleksione mjaft të pasura, sidomos për jetën dhe veprën e Skënderbeut, si dhe mjaft materiale të tjera bibliotekare, të cilat objekt trajtimi i kanë periudhat historike të shqiptarëve në Ballkan e më gjerë.

Marrëveshja e nënshkruar midis dy palëve parasheh bashkëpunimin e këtyre dy bibliotekave kombëtare në këto fusha: huazimet e koleksioneve, organizimin e ekspozitave, shkëmbimin reciprok të përvojave profesionale, të informacioneve dhe arritjeve shkencore në fushat e interesit të veçantë, shkëmbimin e specialistëve me qëllim të trajnimeve dhe aftësimit profesional, pastaj shkëmbimin e përvojave në fushën e teknologjisë së informacionit, si dhe digjitalizimin e materialeve bibliotekare, ruajtjen dhe restaurimin e teknologjisë, rrjeteve elektronike.

Në këtë marrëveshje parashihet edhe pjesëmarrja e përbashkët në projekte ndërkombëtare, me qëllim të modernizimit të shërbimeve dhe të arritjes së cilësisë në informacionin global të bibliotekave evropiane e më gjerë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›