E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rreziku nga sauditët

Publicisti Peter Scholl-Latour ka botuar kohë më parë librin "Ora e së Vërtetës së Botës Arabe - Kryengritjet në Prag të Evropës". Meqë analizat e tij shumë herë dolën të vërteta, edhe ky libër i Scholl po tërheq vëmendjen.

Që nga vitet e 50’a të shekullit të kaluar Scholl-Latour udhëton në të gjithë vendet arabe. Përvoja e tij 60-vjeçare lidhet me përshtypjet gjatë udhëtimeve të fundit në Afrikën e Veriut, Sudan, Egjipt dhe Algjeri. Libri i tij s’është vetëm një analizë politike, por përcjell edhe botën magjike të pazarit, të qyteteve të vogla dhe oazave. Në të ndërlidhen elemente të raportimit aktual dhe të udhëtimeve interesante.

Tunizia: Probleme ekonomike në rritje

Sipas vlerësimit të Scholl-Latour, s’mund të bëhet më fjalë për Pranverën Arabe, por duhet shpresuar që kjo "Vjeshtë Arabe" të mos shndërrohet në "Dimër të Akullt". Pas entuziazmit fillestar erdhi zhgënjimi. Në Tunizi, ku edhe filloi e tëra, problemet ekonomike po bëhen gjithnjë e më të mëdha. Rinia, që e rrëzoi Ben Alinë është e padefinuar. Shumë nga ta largohen me barka drejt Mesdheut, e lëvizja islamike El Nahda, ashtu siç edhe pritej, i fitoi zgjedhjet. Por kjo nuk është ndonjë gjë e tmerrshme.

"Ajo, që është e rrezikshme është se të ashtuquajturit salafistë po minojnë partinë e moderuar islamike. Ky rrezik vjen nga Arabia Saudite. Veç kësaj, Tunizia ka probleme ekonomike, meqë kanë rënë të ardhurat nga turizmi. Të rinjtë, të cilët të nisën gjithçka përmes forumeve të internetit e mesazheve telefonike, s’kanë ide të qarta politike. Ata nuk dinë për kë të votojnë. Masat duan një kategori të islamit të moderuar, andaj edhe nuk duhet të bëjnë gabim e të krijojnë një front kundër kësaj lëvizjeje të moderuar islamike, gjë që do të çonte ujë në mullinj të ekstremistëve ... "

Egjipti: Vahabistët, rreziku më i madh

Në prag të zgjedhjeve në Egjipt, kreu i Këshillit Ushtarak, feldmareshali Tantavi, aktualisht ka më shumë pushtet seç dikur kishte Mubaraku, kpshtui që është vështirë që ushtria të pajtohet me heqje dorë nga privilegjet e saj, thekson Scholl-Latour, dhe shton:

"S’ka dyshim se Vëllazëria Myslimane, dhe partitë e tjera që e kanë themeluar atë, do të jenë më të fuqishmet. Mirpo, pikërisht në Egjipt ekziston rreziku më i madh që të minohet procesi i nisur. Rreziku vjen nga Arabia Saudite. Sulmet mbi koptët janë provokime të grupeve të caktuara, që duan të pengojnë zhvillimin e islamit të moderuar. Unë mendoj se kjo është gjë shumë e rrezikshme, meqenëse besoj se rryma vahabiste nga Arabia Saudite paraqet rrezikun më të madh në Botën Islame. Nuk e kuptoj pse Perëndimi e toleron atë regjim... Banorët e fshatrave egjiptiane, të cilët protestuan në Sheshin Tahrir të Kajros, dëgjojnë atë që u thotë imami. Dikur predikimet e të premteve i kontrollonte Mubaraku, por tani nuk ndodh më kështu... "

Libi: Kush qeveris?

Peter Scholl-Latour jep një përgjigje.

"S’ka dyshim që njeriu më i fuqishëm në Libi është Abdul Hakim Belhadj, një salafist dhe ish-terrorist i Al-Qaedas, i cili ka qëndruar edhe në Guantanamo, por të cilin SHBA’të ndërkohë ia dorëzuan Gaddafit. Dënimi iu falë nga djali i Gaddafit, Saif al-Islami. Abdul Hakim dhe mbështetësit e tij nuk do të lejojnë që t'iu komandojnë burokratët , e pak a shumë as ish-ithtarët e Gaddafit".

Siri: Keqinformim i shpeshtë dhe përzierje

Sipas Scholl-Latour, Siria është e rëndësishme për mbajtjen e një ekuilibri në Lindjen e Mesme. Për Izraelin ajo është një shtet armik, të cilin ai e njeh mirë.

Por, a është kjo arsyeja se përse Perëndimi heziton aq shumë që të ndërhyjë? Edhe sa kohë, pra, mund të shohin gjakderdhjen me duarkryq? "Shumë gjëra të këtilla Perëndimi i ka shikuar duarkryq. Për shembull, kur unë vetë kalova nëpër Aman, në vitin 1982, atje u vranë 20,000 njerëz dhe nuk reagoi askush. Mendoj se ka shumë propagandë, dhe se disa demonstrata pro-regjimit në fakt tregohen si kundër tij. Gjithashtu, besoj se në këtë punë të përzier janë edhe agjentë sauditë..."

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›