E Diel, 1 Nëntor 2026

Portrete në portret

Mendoj se Agron Mulliqi mund të cilësohet si një piktor që rrallë paraqitet në skenë. Pse?

Piktori ose krijuesi i formave në pëlhurë është zot i gjithëpushtetshëm.

Kur thuhet i gjithëpushtetshëm kjo nënkuptohen se e bukura dhe e shëmtuara varen nga peneli i tij. Ai i përcakton ato, iu jep trajtë, ritëm, formë, thyerje, dhe e vë në lëvizje ashtu si ia do qejfi. Madje, edhe shkretëtirën e thatë ai mund ta mbushë me hijeshi, me ngjyra, ta popullojë atë, ta mbushë me njomësi. Në fillim i selit në shpirt, pastaj i bën me duar, dhe me kujdes shpërndan forma në pëlhurën në të cilën ngjizja shpirtërore shpërfaqet si një mbretëreshë e padukshme.

Piktori Agron Mulliqi me penelin e tij ka arritur t’i popullojë viset e papopulluara. Bëhet fjalë për ciklin e portreteve të vijëzuara e të kubëzuara, të cilat në vete rrëfejnë të përditshmen, globalen, madje në disa raste edhe intimen. Në një kornizë, ai gjithnjë paraqet dy e më shumë portrete të habitura, të buzëqeshura e të çmendura. Kjo disi tregon se secili personalitet i posedon këto nuanca psikologjike.

Njeriu në veten e tij njeh shumë personalitete, ato luajnë lojën, e ngrisin në maje, por edhe e shpijnë tatëpjetë, gjithnjë duke u barazuar në fund, ngase vetë rregulli natyror e kërkon këtë. E, gjithë këtë fenomen e vërejmë dukshëm te Mulliqi. Thellësinë e punimeve e përcakton vëzhguesi, ngase në një trup hasim shqetësimin për tensionin shpirtëror dhe ngjeshjen dramatike. Portretet luajnë në teatrin absurd, mirëpo, të prekur nga koha, ato gjithnjë bartin me vete të kaluarën tradicionale. Botën njerëzore Mulliqi e shpërfaq me shumë fytyra, ngase e vërteta bën lojë me të pavërtetën dhe na vë në lëvizje. Dramaturgu i madh botëror, William Shakespeare, ka shkruar:

“Mbarë bota është një skenë dhe të gjithë njerëzit janë aktorë”.

Edhe portretet e Mulliqit bindshëm interpretojnë në skenë, gjithnjë me ndihmën e regjisorit. Ata dëgjojnë zëshëm njëri-tjetrin, nganjëherë kalojnë edhe në teatrin e Grotowsk’it, duke krijuar kështu një komunikim të drejtpërdrejtë me publikun.

Në ciklin ‘Portretet’ autori gërsheton të përditshmen, duke huazuar edhe momente nga sëmundjet e rënda shpirtërore. Aty gjejmë habinë, sinqeritetin, të padrejtën, befasinë, lodhjen, fitoren, vullnetin për pushtet, të cilat në tërësi rrumbullakohen me çmendurinë ose tejkalimin e çmendurisë, duke e hedhur poshtë atë. Edhe pse ngjyra blu ka prekur thellë fytyrat, duke i sëmurë në një shkallë tejet të lartë, dielli prapë lind në sytë e tyre. Ky kolektiv gjenial, i burgosur brenda individit, tregon një të vërtetë aktuale, e cila demaskon edhe gjurmët e së kaluarës, të prezantuar me të kuqen. E kuqja thekson portrete të lëna anash, të harruara nga ujqit momentalë, të cilët kanë filluar të hanë njëri-tjetrin për pushtet. Të gjakosurit vështrojnë me një qëndrim fisnik, ata janë të harruar, madje një pjesë e kokës është kafshuar nga harresa ekstreme e “ujqve”, të cilët pështyjnë pa pushim mbi kontributin e atyre që nuk janë.

Mesazhet nuk janë politike, por me motive bukurie, sepse tashmë jemi ngopur me politikën, kemi nevojë të shkelim në kopshtin e bukur të Edenit, e këtë Mulliqi e tregon nëpërmjet karaktereve reale, të cilat duhet të vrapojnë kah e drejta - e ajo është estetika, një lumë ngjyrash të hareshme, që sfidojnë të shëmtuarën. Mirëpo, edhe e shëmtuara ka rolin e saj, sepse pa të nuk mund të identifikohet e bukura. Pra, që të dyja janë krijuese. Portretet janë krijuar me pak ngjyra e me shumë vija, por prezantojnë saktësinë e shpirtit të autorit, i cili shpreh realen ashtu siç e sheh, të lakuar, të kubëzuar, në formë cilindri, sfere e koni. Realitetin e shndërron në forma gjeometrike, ndërsa luftën e individit me veten e krijon me portrete të pakufishme. Ngase, kufijtë e imagjinatës e të vetëdijes nuk ekzistojnë, arsyeshmëria e burimit të tyre nuk përcaktohet.

Andaj, përcaktimi edhe te Mulliqi është i padukshëm.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›