Bashkëpunim me Europol dhe Interpol për kërcënimet digjitale ndaj fëmijëve dhe të rinjve

TIRANË, 4 nëntor /ATSH/ Në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) u zhvillua sot aktiviteti lidhur me sigurinë kibernetike dhe përgjegjësinë digjitale, me fokus te fëmijët dhe të rinjtë.
Në këtë aktivitet, të pranishëm ishin nxënës të shkollave “Fan Noli” dhe “Shkolla e Kuqe” në kryeqytet, drejtueset e dy institucioneve arsimore, Merita Nano dhe Xhilda Tufina, prindër, punonjës socialë etj.
Ky aktivitet erdhi në vazhdën e një cikli takimesh me synimin për të trajtuar një realitet ku fëmijët po rriten në një botë të pashmangshme kontakti me teknologjinë dhe se si kjo e fundit ndikon në rritjen dhe edukimin e tyre.
Era Gjata, përgjegjëse në sektorin e Koordinimit të Projekteve Ndërkombëtare, Zhvillimit Strategjik dhe Identifikimit pranë AKSK-së, tha se ky institucion është përgjegjës për monitorimin e infrastrukturave kritike të informacionit, pasi ka edhe një qendër monitorimi 24/7 që bën kontrollin e vazhdueshëm të kërcënimeve në hapësirën kibernetike.
“AKSK zhvillon fushata ndërgjegjësuese dhe edukuese për gjithë qytetarët me fokus të veçantë mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve nga rreziqet digjitale. Një kompetencë që rrjedh nga ligji për sigurinë kibernetike është edhe koordinimi dhe bashkërendimi i punës me institucionet e tjera përgjegjëse për mbrojtjen online të fëmijëve dhe të rinjve”, tha ajo.
Gjata tha se në takimet që zhvillohen synohet ndërgjegjësimi i fëmijëve dhe të rinjve për njohjen e kërcënimeve të ndryshme online.
“Ne nuk duhet të kemi frikë nga teknologjia, por duhet të jemi njohës të mirë të kërcënimeve që të mbrojmë veten dhe të tjerët. Të jemi qytetarë më të përgjegjshëm digjitalë dhe ta përdorim në interesin tonë atë”, vijoi Gjata.
“Ka kërcënime të ndryshme dhe fishing është një rast i fundit shumë i suksesshëm i Policisë së Shtetit. Ky është një sulm i cili vjen përmes e-mail-eve apo faqeve të dyshimta që kanë një link të caktuar. Ky mesazh kërkon të hapësh një link dhe ky “peshkim”, mesazh i dyshimtë dërgohet nga dërgues të panjohur. Për t’i dalluar mjafton të shohim tekstin, të jemi të kujdesshëm në klikimin e linkeve. Mendoni përpara se të klikoni. Duhet të siguroheni që linku nuk është një mashtrim. Kërcënime të tjera lidhen me përdorimin e mediave sociale, fenomenet shumë të përhapura mes adoleshentësh dhe viktimat janë adoleshentët, kryesisht vajzat”, theksoi Gjata.
Ndërsa, Franc Zylyftari nga Drejtoria e Monitorimit dhe Mbrojtjes Kibernetike, në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, tha se detyra e AKSHI-t është që të reagojë ndaj gjithë kërcënimeve që shfaqen.
“Sot përballemi me një volum shumë të lartë informacioni dhe është detyra jonë si autoritet që të jemi vetëdijshme nëse informacioni është i vërtetë apo i rremë. Është bërë shumë e vështirë, sa më shumë teknologjia avancon. Dezinformimi është arti i keqpërdorimit të informacionit dhe ky është në trend vitet e fundit”, tha Zylyftari.
Ervina Gjana, drejtoresha e Drejtorisë për Hetimet e Krimeve Kibernetike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit solli në vëmendjen e të pranishme raste konkrete të përjetuara për shkak të punës.
Gjana pohoi se “interneti është një botë e madhe ku ne mund të mësojmë, komunikojmë dhe të informohemi, por ka edhe rreziqe shumë të mëdha”.
“Gjatë përditshmërisë sonë si staf kemi ndeshur shumë raste të fëmijëve dhe të miturve, të cilët janë mashtruar, manipuluar pa e kuptuar. Ne si Polici e Shtetit, kemi shumë bashkëpunime me Interpol, Europol dhe fokus janë fëmijët dhe siguria online. Kemi vendosur së fundmi, komunikim me META-n dhe TikTok për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve që të marrim një kanal për raportimin e profileve apo postimeve të ndryshme ku të miturit denigrojnë njëri-tjetrin, bullizojnë njëri-tjetrin me qëllim uljen e figurës së tyre”, tha Gjana.
“Jemi të angazhuar 24/7 dhe rastet kanë qenë jo të pakta për shkak të një mesazhi që një i mitur ka tentuar vetëvrasje. Ai ka postuar në TikTok foto të ndryshme ku shprehej se donte të vdiste, të ishte në arkivol etj. Ishte një djalë 14 vjeç i ndarë nga e dashura dhe për shkak të mospërballimit të ndarjes postonte këto video”, vijoi Gjana.
Sipas Gjanës, gjithçka që postohet në rrjetet sociale nuk kalon pa u vënë re, pasi të gjitha platformat kanë persona të angazhuar që merren me postimet me probleme, kërcënime, tentativa vetëvrasje etj.
“Pasojat janë të mëdha, sidomos aspekti emocional. Kemi pasur raste që kanë tentuar të kryejnë vetëvrasje, pasi u janë krijuar faqe në emër të shkollës në Instagram. Aty janë postuar foto, video të personave të caktuar dhe këta të rinj më pas janë trajtuar me psikologë”, tha Gjana.
Në fund të takimit, u zhvilluan edhe pyetje nga nxënësit e shkollave dhe mësuesit, që kërkuan të ketë forcim të zinxhirit të bashkëpunimit dhe atij të referimit mes shkollave, AKSHI-t, AKSK, psikologëve, mësuesve, prindërve etj.
COD - takimi “Të rritesh me teknologjinë”, Foto: Andrin Hoxha 1 nga 19/e.i/j.p/r.e/