Hendeku gjinor në tregun e punës mbetet 12,2%

TIRANË 4 nëntor /ATSH/ Pavarësisht përmirësimeve të viteve të fundit, hendeku gjinor në tregun e punës në Shqipëri mbetet 12,2%, ndërsa gratë përbëjnë vetëm 15% të përfituesve nga skemat bujqësore dhe 29% të përfituesve nga fondet për sipërmarrje.
Këto janë disa nga gjetjet kryesore të raportit “Fuqizimi ekonomik dhe social i grave në Shqipëri – Analizë e efikasitetit të politikave dhe fondeve publike”, realizuar nga shoqata “Together for Life”, me mbështetjen financiare të Ambasadës së Suedisë në Tiranë.
Raporti u prezantua sot në një tryezë të rrumbullakët, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve qendrore, Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, Bashkisë Tiranë, institucioneve të pavarura të të drejtave të njeriut, organizatave ndërkombëtare dhe kombëtare që punojnë për barazinë gjinore, si dhe aktivistë e gazetarë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, zv.ambasadori i Suedisë dhe shefi i Zyrës së Bashkëpunimit për Zhvillim, Erik Illes, vlerësoi përpjekjet për fuqizimin ekonomik të grave dhe vajzave.
“Le të ndërtojmë një të ardhme ku vajzat dhe gratë të jetojnë të lira dhe pa frikë. Dua të falënderoj shoqatën “Together for Life” dhe çdo palë interesi të përfshirë në këtë raport, për përpjekjen dhe kontributin e tyre për fuqizimin ekonomik të grave në Shqipëri”, tha ai.
Ndërkohë, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda, theksoi nevojën për më shumë bashkëpunim dhe unitet mes grave në politikë.
Gajda vuri në dukje se, “ka munguar një aleancë e grave deputete në Parlament për të qenë zë i unifikuar dhe real në mbrojtje të grave, përtej ngjyrave politike dhe ndasive që mund të kenë. Është e domosdoshme një qasje e përbashkët për mbrojtjen dhe fuqizimin e grave në të gjithë sektorët”.
Diskutimet gjatë tryezës theksuan domosdoshmërinë për forcimin e lidhjes ndërmjet planifikimit strategjik dhe buxhetimit gjinor, në mënyrë që politikat publike të përkthehen në rezultate të matshme për barazinë gjinore.
Pjesëmarrësit në këtë takim kërkuan gjithashtu rritjen e fondeve të dedikuara për politikat e ndjeshme gjinore në sektorët e punësimit, arsimit dhe mbrojtjes sociale, si dhe transparencë më të lartë në përdorimin e fondeve publike që synojnë fuqizimin e grave dhe vajzave.
1 nga 2/e.xh/j.p/r.e/