E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Bashkëpunim me kryebashkiakët e opozitës për sezonin turistik? Ministrja Kumbaro hap dritën jeshile: Ecim përpara!

Gjatë fushatës elektorale, kryeministri Rama nuk përdori një gjuhë bashkëpunuese për kandidatët e opozitës. Ai tha se ata do t’i kthenin bashkitë në oaze të luftës politike. Por, tani pas zgjedhjeve, qeveria nuk e sheh të pamundur bashkëpunimin me ta.

E pyetur nga gazetarja Elona Meço gjatë intervistës për emisionin “Pa Censurë”, Ministrja Kumbaro tha se e gjente pyetjen të çuditshme dhe se bashkëpunimi do të vazhdojë.

“Ne kemi treguar se kur ka kryetarë që kanë vullnetin, sjellin projekte dhe janë bashkëpunues, ne ecim përpara. Shembujt i kemi. Pa asnjë diskutim do të vazhdojmë po njësoj me Bashkinë e Kavajës, duke shpresuar, nuk kam arsye për momentin të mos shpresoj, që do të jetë një bashki që do të bashkëpunojë. Vitin e kaluar Bashkia Kavajë performoi shumë mirë si pjesë e Planit për Pastrimin Kombëtar.

Sivjet do të jetë pjesë e një tjetër programi që Agjencia e Bregdetit ka me disa nga bashkitë bregdetare oër dyfishimin e forcave për pastrimin e vijës së plazheve“-tha zonja Kumbaro, e cila iu përgjigj dhe shqetësimit për ndotjen e deteve nga derdhja e ujrave të zeza dhe mungesa e përpunimit të tyre.

“Të dhënat e Agjencisë Europiane të Mjedisit, në 2015-ën, Shqipëria kishte 40% të vijës bregdetare me ndotje. Sot jemi në masën 6%. Pra rritja e cilësisë së ujit është shumë e lartë. Nga qershori deri në shtstor ne bëjmë matjet e të gjithë bregdetit çdo 2 javë.

Gjithashtu kontrollojmë edhe subjektet. Verën e kaluar Agjencia kreu 500 inspektime dhe mori mbi 110 masa administrative.

Ne do të donim që ta zgjidhnim që nesër problemin e ndotjes. por kjo nuk ështe realiste. Është një çështje që kërkon vëmendjen e të gjithë aktorëve”- u shpreh Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit në intervistën për emisionin “Pa Censurë”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›