Komisioni i Jashtëm/ Kandidati për ambasador në Emiratet e Bashkuara Arabe: Prioritet, marrëveshja e ekstradimit me Dubain

Në Komisionin e Jashtëm janë prezantuar disa nga kandidatët për ambasadorë, të cilët kanë mbajtur dhe fjalën duke prezantuar edhe prioritetet e punës së tyre.
Mes të prezantuarve ishte edhe kandidati për ambasador në Emiratet e Bashkuara Arabe, Ridi Kurtezi, i cili fokusin e vendosi në arritjen e një marrëveshje për ekstradimet nga Dubai, i cili është kthyer në një vend të sigurt për kokat e krimit.
“Sa i takon marrëveshjeve në fushën penale janë pothuajse të papërfunduara, por puna ka filluar dhe roli im do jetë që të shtyhet më tej. Marrëveshja e ekstradimit, që nuk është vetëm për ne por për shumë të tjera, do ta shoh me prioritet dhe e kam një nga objektivat e aktivitetit të ardhshëm në atë vend. E specifikova që do jetë prioritet marrëveshje në gjyqësor dhe në atë të ekstradimeve në veçanti. Pro varet si do shkojë ne perspektivë, sepse është e dyanshme”, tha Kurtezi.
Prioritet, për Ridi Kurtezin do të jetë edhe rritja e shkëmbimeve tregtare dhe turizmin mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
“Palët janë të interesuar të rrisin përfitimet ekonomike, marrëdhëniet ekonomike janë dimension i rëndësishëm, rezultatet e bashkëpunimit kanë njohur zhvillim dhe kanë kapacitet për avancimin mëtejshëm të shkëmbimeve tregtare dhe bashkëpunimi ekonomik, ka hapësira për t’i rritur bashkëpunimet, marrëdhëniet e mira politike krijojnë hapësirë për rritjen e bashkëpunimeve ekonomike dhe shkëmbimet tregtare”, tha ai.
Në komision u prezantua edhe Ilir Gjoni, kandidat për Ambasador në NATO, ku tha se prioritet i tij do jetë Kosova. Gjoni tha se të punojë për forcimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe NATO-s si dhe rrisë vëmendjen e Aleancës kundrejt rajonit.
“Do të punoj me fokus për të nxitur vëmendjen e NATO-s kundrejt rajon tonë për gjithësi dhe Kosovës në përgjithësi. Do të garantoj bashkëpunim aktiv me ministrinë e mbrojtjes me angazhimet ushtarake të vendit tonë në NATO, në mënyrë të veçantë edhe më Kosovën”, tha Gjoni.
/rtsh.al/