Bashkëpunim mes Durrësit dhe Rijekës, fokusi tek ekonomia dhe turizmi

TIRANË, 6 shkurt /ATSH/ Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako ka zhvilluar sot një takim me kryetarin e bashkisë Rijekës, Marko Filipoviç, si dhe delegacionin që e shoqëronte ku bënin pjesë nënprefekti i Rijekës, Petar Mamulla, drejtoresha e Kabinetit të Prefektit të këtij qyteti, Ermina Duraj, kryetari i Këshillit Shqiptar në Rijekë, Gani Xharrahi, këshilltarja e Ministrit të Punëve të Jashtme të Kroacisë, Ermina Lekaj Prljaskaj, zëvendëskryetari i Bashkësisë Shqiptare, Ramzi Bajraktari dhe aktivisti shqiptar Pjetër Prljaskaj.
Kryebashkiakja Sako tha në një njoftim për mediet se e njohu delegacionin kroat me potencialin e jashtëzakonshëm turistik e ekonomik të Durrësit si dhe historinë e lashtë të qytetit me trashëgimi kulturore të pasur.
Kryebashkiaku Marko Filipoviç, bëri një përmbledhje të përgjithshme të vlerave kulturore dhe ekonomike të Rijekës, njërit prej qyteteve më të rëndësishëm të Kroacisë, ku ndodhet edhe porti kryesor i këtij shteti.
“Bashkëbiseduam rreth marrëdhënieve midis dy vendeve si dhe për të forcuar bashkëpunimin midis dy qyteteve tona portuale me projekte konkrete në fushën e turizmit, ekonomisë, tregtisë, arsimit, kulturës dhe në të gjitha nivelet dhe fushat e tjera të mundshme. Pas takimit delegacioni kroat vizitoi disa nga sitet arkeologjike të qytetit tonë”, thotë Sako.
Nga takimi i kryetares së bashkisë Durrës, Emiriana Sako me kryetarin e bashkisë Rijekës, Marko... 1 nga 13/r.e/