Rehabilitohet një degë e kanalit ujitës Vjosë-Levan-Fier, Subashi: Siguron vaditjen e tokave për banorët e zonës

TIRANË, 6 shkurt/ATSH/ Rehabilitimi i kanalit Vjosë-Levan-Fier, dega Martin, është drejt përfundimit.
Kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi inspektoi nga afër punimet që po kryhen në për rehabilitimin e kanalit, një projekt i financuar nga Ministria e Bujqësisë në bashkëpunim me bashkinë Fier, përfshin rehabilitimin e një kanali ujitës me gjatësi 1,8 km.
“Ky kanal është pjesë e vazhdimit të projekteve të mëparshme të realizuara për këtë vepër të rëndësishme ujitëse, që do t’i shërbejë mijëra hektarëve tokë për vaditje gjatë stinës së verës”, tha Subashi.
Kryebashkiaku Subashi u shpreh se “pas disa javësh, kjo vepër do të jetë plotësisht funksionale, duke siguruar vaditjen e tokave për banorët e zonës”.
Bashkia e Fierit për vitin 2025 ka planifikuar projekte të reja në mbështetje të komunitetit, bonifikimit të tokave dhe mirëmbajtjes së kanaleve të kullimit dhe vaditje.
/k.s/r.e/