Durrës, nxitje punësimit dhe zgjerimit të shërbimeve të kujdesit për të moshuarit

TIRANË, 6 shkurt /ATSH/ Bashkia Durrës në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive dhe UNDP Albania, kanë nisur trajnimin dhe certifikimin me qëllim punësimin si kujdestarë profesionistë të një grupi punëkërkuesish të papunë në nevojë.
Ndërkohë, PNDP po zgjeron dhe rrit cilësinë e shërbimeve të kujdesit për të moshuarit, me prioritet 110 familjet që frekuentojnë Qendrën Ditore për të Moshuarit Durrës, por edhe të moshuar të tjerë në nevojë në territorin e bashkisë.
Përmes kësaj ndërhyrjeje: 20 kujdestarë do të trajnohen dhe punësohen në sektorin e shërbimeve sociale; 110 të moshuar do të përfitojnë shërbime kujdesi në shtëpi; do të krijohen mundësi të reja për të ardhura të qëndrueshme për familjet në nevojë; do të promovohet përfshirja dhe barazia për mbi 110 të moshuar dhe persona me aftësi të kufizuara.
Kjo ndërhyrje mbështetet nga UNDP Albania në kuadër të programit të përbashkët të OKB-së “Fuqizimi dhe Mbrojtja gjatë Gjithë Jetës në Shqipëri” (LEAP), i financuar nga Fondi i Përbashkët i OKB-së për arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm.
PNUD njoftoi në rrjete sociale se, ky program është një ndërhyrje strategjike e krijuar për të përmirësuar sistemet e mbrojtjes sociale dhe mundësitë e punësimit për popullsinë në nevojë në Shqipëri. Programi trajton sfidat kritike socio-ekonomike, duke përfshirë papunësinë e lartë të të rinjve, përjashtimin social dhe aksesin e pamjaftueshëm në shërbimet cilësore të kujdesit.
Me fokus te fëmijët, të rinjtë, gratë, të moshuarit dhe familjet, LEAP synon të zbatojë strategji të menaxhimit të integruar të kujdesit social dhe fuqizimit ekonomik për të përmirësuar cilësinë dhe aksesin e shërbimeve të punësimit (në sektorë prioritarë si hoteleri, turizmi dhe shërbimet) dhe mbrojtjes sociale.
Nisma mbështetet nga Bashkimi Evropian dhe qeveritë e Belgjikës, Danimarkës, Gjermanisë, Irlandës, Italisë, Luksemburgut, Monakos, Holandës, Norvegjisë, Polonisë, Portugalisë, Republikës së Koresë, Arabisë Saudite, Spanjës, Suedisë dhe Zvicrës.
1 nga 4/r.e/a.f/